Teksa Shqipëria pret të përballet me Serbinë më 7 qershor 2025 në stadiumin “Arena Kombëtare” për të kualifikueset e Kupës së Botës 2026, Policia e shtetit ka nisur prej javësh hartimin e një plani të detajuar sigurie.
Kjo sfidë nuk është vetëm një ndeshje futbolli – ajo vjen me një ngarkesë të thellë emocionale dhe historike, për shkak të së kaluarës mes dy kombëtareve dhe tifozerive të tyre.
AbcNews mëson se në terren do të angazhohen strukturat më elitare të sigurisë, përfshirë njësinë speciale RENEA, Antiterrorin, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, “Shqiponjat” dhe patrullat e rendit.
Në fokus do të jetë parandalimi i çdo incidenti të mundshëm brenda dhe jashtë stadiumit, si dhe ruajtja e rendit publik gjatë gjithë ditës së ndeshjes. Masat do të jenë të shtuara për shkak të rrezikut të incidenteve.
Sektori i Antiterrorit do të ketë një rol kyç në këtë operacion, me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kontrollin e perimetrit të stadiumit, monitorimin e pikave hyrëse në territorin shqiptar, dhe ndjekjen hap pas hapi të ekipit serb nga mbërritja në Shqipëri e deri në largimin e tyre pas përfundimit të ndeshjes.
Ne mbështetje te tyre po ashtu do te jete reparti special RENEA që do ta shoqërojë ekipin serb.
Ne këtë ndeshje do të përdoren edhe pushkë anti-drone, të vendosura rreth stadiumit për të shmangur çdo kërcënim ajror, i cili mund të destabilizojë situatën.
Autoritetet pritet qe ne ditën para ndeshjes te dalin edhe me një thirrje për tifozët se ndeshja duhet të mbetet një event sportiv dhe jo një fushë për përplasje nacionaliste.