Ndërtimtaria sektor me rrezik të lartë, kërkohen masa nga Inspektorati - Gazeta Express
string(69) "ndertimtaria-sektor-me-rrezik-te-larte-kerkohen-masa-nga-inspektorati"

Lajme

Gazeta Express

27/07/2025 21:07

Ndërtimtaria sektor me rrezik të lartë, kërkohen masa nga Inspektorati

Lajme

Gazeta Express

27/07/2025 21:07

Dhjetëra punëtorë për çdo vit humbin jetën gjatë orarit të punës në Kosovë. Ndërtimtaria thuhet se prin me numrin më të madh të viktimave. Mirëpo, shqetësime kanë ngritur edhe punëtorë të KEK-ut. Ata thonë se sëmundjet që po i marrin në punë po ua sjellin vdekjen. Nga Inspektorati i Punës është kërkuar që të kryejë kontrolle adekuate për sigurinë e punëtorëve.

Puna si burim kryesor i të ardhurave, u bë shkaktar për vdekjen e dhjetëra punëtorëve në Kosovë. Vetëm gjatë javës së fundit, katër persona humbën jetën në vendin e punës.

Ndonëse nga Inspektorati i Punës kanë thënë se numri i punëtorëve që kanë vdekur në vendin e punës është 7, nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat pretendojnë se numri i viktimave është 19.

 “Në Gjermani në 100 mijë punëtorë një mesatare është që vdesin dy punëtorë brenda vitit, kurse te ne tetë punëtorë vdesin në 100 mijë punëtorë. Statistikat janë më të mëdha se ne vendet tjera”, tha për RTK, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.

Azemi tha se një ndër shkaktarët e këtyre vdekjeve është pasiguria në vend të punës.

“95 për qind të rasteve që vdesin punëtorët faktori njeri është ai që vjen deri te kjo. Pronarët e kompanive kanë për obligim që të sillen përgjegjshëm para punëtorëve lidhur me rrezikshmërinë  në sektorin privat, por mekanizëm i fuqishëm duhet të jetë Inspektorati i Punës i cili nuk po e kryen punën e vet”, tha  Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.

Sektori i ndërtimtarisë edhe këtë vit prinë për numrin më të madh të viktimave. E në këto ditë kur temperaturat janë të larta, një pjesë e kompanive të këtij sektori ka ndërprerë punën gjatë mesditës.

Megjithatë, pati edhe punëtorë që nuk ndalën punën as gjatë orëve kur temperaturat shënonin 33 gradë celsius.

Të rrezikuar nga puna që bëjnë u shprehën edhe punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës. Nga Sindikata e KEK-ut thonë se mendohet që rreth 30 punëtorë të kësaj korporate vdesin brenda vitit për shkak të sëmundjeve që i marrin në punë.

“Mendojmë se rreth 30 punëtorë çdo vit vdesin për shkak të këtyre  sëmundjeve. Kryesisht janë sëmundje kancerogjene “, tha Nexhat Llumnica nga Sindikata e KEK.

Megjithëkëtë, Llumnica tha se punëtorëve nuk u paguhet as rrezikshmëria në punë, siç edhe është e përcaktuar me ligj.

Nga Inspektorati i Punës i kanë thënë RTK-së se gjatë këtij viti janë shqiptuar 788 gjoba. Sipas këtij institucioni, me gjithë numrin e vogël të inspektorëve të punës, janë duke u angazhuar maksimalisht në rritjen e numrit të inspektimeve. Inspektorati tha se kanë shqiptuar edhe 788 masa ndëshkimore ndaj punëdhënësve të cilët nuk kanë respektuar ligjin dhe rregulloret përkatëse për sigurinë dhe shëndetin në punë. Shoqëria civile ka kërkuar që të trajtohen me prioritet inspektimet dhe të merren masa që dispozitat që rregullojnë sigurinë në vendin e punës të zbatohen në tërësi.