Në kuadër të kampanjës së artit politik #ArtistsShouldNotSupportPopulistAndAuthoritarianPoliticians, ndërhyrja artistike “HOW KURTI STOLE DEMOCRACY” nga artisti I am I, është adaptimi alegorik i figurës së rikonceptualizuar të Grinch-it për të artikuluar metaforikisht kritikën artistike ndaj kapjes së shtetit dhe cenimit të demokracisë.
Në këtë kontekst, Albin Kurti shfaqet jo thjesht si aktor institucional demokratik, por si figurë e pushtetit autoritar dhe populist, që zhvendos ritmet shoqërore për t’i shndërruar ato në instrumente strategjike të dominimit.
Si Grinchi që vjedh Krishtlindjen për të kontrolluar disponimin kolektiv, Kurti paraqitet si figurë që vjedh vitin politik dhe, në vijim, festat e fundvitit, duke i shndërruar ato në mjete për riformatimin e procesit demokratik. Koha festive, hapësirë e pushimit, reflektimit dhe pezullimit, instrumentalizohet si terren elektoral për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Thelbi i ndërhyrjes nuk është akti formal i zgjedhjeve, por zhvendosja e kuptimit të demokracisë nga proces kolektiv në operacion taktik. Demokracia, në këtë kontekst, nuk shkatërrohet hapur; ajo zhvishet gradualisht nga solemniteti, etiketa dhe neutraliteti i saj, për t’u shndërruar në dekor të pushtetit popullist dhe liderit autokrat. Festa humbet karakterin e saj shoqëror dhe kthehet në moment manipulimi; qytetari reduktohet në trup elektoral, procesi demokratik në skenografi.
Figura e Grinchit-Kurt nuk është një karikaturë simbolike, por një figurë filozofike e pushtetit grabitqar. Është një demaskim artistik i Kurtit-Grinch që vepron përmes normalizimit të zhvendosjes, bllokimit dhe krizës, përmes pranimit të një rendi ku vjedhja e kohës perceptohet si procedurë dhe grabitja e demokracisë si efikasitet politik.
Në Whoville-in e adaptuar artistikisht, ndërtesa e qeverisë zëvendëson qytetin e Grinchit në shtetin e Kosovës, të kapur nga Kurti, jo vetëm si institucion. Metaforikisht, sikur personazhi i Grinchit që jeton i vetmuar mbi Whoville, Kurti vazhdon të jetojë politikisht i izoluar mbi rrënojat e propagandës qeveritare, duke mbajtur shtetin peng që nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Dështimet e përsëritura të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë kanë prodhuar një vit të humbur, jo si aksident demokratik, por si metodë hegjemonike. Në këtë paradigmë, analogjia artistike mes dhe përmes Grinchit dhe Kurtit, nga “How the Grinch Stole Christmas” në “How Kurti Stole Democracy”, konceptualisht është e deshtuar, sepse Grinchi vodhi festën në Whoville, kurse Kurti në Kosovë vodhi vitin dhe është duke i vjedhur festat e fundvitit për të vjedhur demokracinë.
Andaj, më 28 dhjetor, vota për Kurtin nuk është zgjedhje politike programore, por normalizim i vjedhjes sistematike të demokracisë.
Artist: I Am I