Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit, qeveria shpall 2 shtatorin ditë zie kombëtare - Gazeta Express
string(83) "ndarja-nga-jeta-e-dhimiter-anagnostit-qeveria-shpall-2-shtatorin-dite-zie-kombetare"

Shqiperi

Gazeta Express

02/09/2025 14:58

Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit, qeveria shpall 2 shtatorin ditë zie kombëtare

Shqiperi

Gazeta Express

02/09/2025 14:58

Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpallë ditë zie kombëtare ditën e martë, datë 2 shtator 2025, në nderim të të ndjerit Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare, mjeshtër i ekranit dhe i artit skenik, i cili la një trashëgimi të çmuar kulturore për brezat.

Në respekt të vendimit, në të gjithë vendin flamujt do të ulen në gjysmështizë, ndërsa institucionet shtetërore do të zhvillojnë homazhe për nder të figurës së tij.

V E N D I M  PËR SHPALLJEN DITË ZIE KOMBËTARE NË NDERIM TË TË NDJERIT, DHIMITËR ANAGNOSTI, PERSONALITET I SHQUAR I KINEMATOGRAFISË SHQIPTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të pikës 12, të kapitullit VI, të ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen ditë zie kombëtare të martën, datë 2 shtator 2025, në nderim të të ndjerit, Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare.

2. Në ditën e zisë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.

3. Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tiranë, ditën e martë, datë 2.9.2025, nga ora 10:00 deri në orën 13:00.

4. Në orën 10:00, datë 2.9.2025, në nderim të tij të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Dhimitër Anagnosti, i cilësuar si babai i kinematografisë shqiptare, ndërroi jetë më 1 shtator. Ditën e sotme, në Hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit nga ora 10:00-13:00 do të mbahen homazhe në nder të tij.