Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka njoftuar se ka ndaluar importimin e 1080 litrave vaj ulliri për sallatë, sasi e cila ka ardhur nga kompania ‘’Euro Made 2021’’ Lushnjë në Shqipëri.
AUV ka njoftuar se produkti s’ka përmbajtur të dhënat e duhura në deklaracionin e mallit, dhe se, është konstatuar se malli ishte transportuar në kushte jo të mira higjienike, përcjell Gazeta Express.
‘’ Në përputhje me Ligjin e Ushqimit, Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe rregulloret përkatëse të sigurisë ushqimore, një produkt i tillë konsiderohet i papërshtatshëm, i pasigurt dhe i rrezikshëm për konsumim, dhe si i tillë nuk mund të lejohet për importim në territorin e Republikës së Kosovës’’, është thënë mes tjerash nga AUV.
Njoftimi:
Komunikatë për Media
Prishtinë, 27.02.2026
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndalon importimin e 1080 litrave vaj ulliri për sallatë
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, njofton se, pas kontrollit dhe shqyrtimit të lëndës me nr. të aplikacionit PIKF297960/2026, të datës 18.02.2026, nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar në pikën doganore në Vërmicë, është ndaluar eksporti për në Kosovë i 1,080 litrave vaj ulliri për sallatë nga kompania “Euro Made 2021” Lushnjë, Shqipëri.
Gjatë kontrollit fizik të mallit, është vërejtur se ky produkt nuk përmbante të dhënat e duhura në deklaracionin e mallit. Po ashtu, është konstatuar se malli ishte transportuar në kushte jo të mira higjienike dhe së bashku me mallra të tjera jo ushqimore (detergjentë), çka rrit mundësinë e kontaminimit.
Në përputhje me Ligjin e Ushqimit, Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe rregulloret përkatëse të sigurisë ushqimore, një produkt i tillë konsiderohet i papërshtatshëm, i pasigurt dhe i rrezikshëm për konsumim, dhe si i tillë nuk mund të lejohet për importim në territorin e Republikës së Kosovës.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të zinxhirit ushqimor, për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në Kosovë.