Në oborrin e shtëpisë së atdhetarit, profesorit, shkrimtarit, përkthyesit dhe publicistit Sami Repishti, në Shkodër, u mbajt ceremonia e shpalljes së çmimeve për Konkursin Letrar të Gegnishtes për vitin 2025.
Çmimet që ndahen nga ky konkurs janë: Çmimi “Ndre Mjeda” për poezinë më të mirë, “Gjon Shllaku” për përkthimin më të mirë, “Ernest Koliqi” për prozën më të mirë, “Arshi Pipa” për esenë më të mirë dhe “Sami Repishti” çmim nderi i veçantë.
Juria me anëtarë Primo Shllakun (shkrimtar dhe përkthyes), Mimoza Hysën (shkrimtare dhe përkthyese), Vlora Ademin (poete dhe diplomate e kulturës), Lulzim Hazirin (publicist dhe gazetar) dhe Meritan Spahinë (përkthyes dhe prozator), vendosi që: dr. Gëzim Puka të nderohej me çmimin “Arshi Pipa” për esenë më të mirë; Artur Baku me çmimin “Ernest Koliqi” për prozën më të mirë; Agim Morina me çmimin “Gjon Shllaku” për përkthimin më të mirë; Nurie Emrullai me çmimin “Ndre Mjeda” për poezinë më të mirë dhe Diana Kastrati me çmimin “Sami Repishti” .
Mbrëmja u shoqërua me muzikë klasike shqiptare dhe të huaj, e interpretuar nga kuarteti i harqeve të Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit. /atsh/