NBA: Los Angeles Lakers fitojnë pa shumë vështirësi ndaj Dallas Mavericks - Gazeta Express
string(72) "nba-los-angeles-lakers-fitojne-pa-shume-veshtiresi-ndaj-dallas-mavericks"

NBA: Los Angeles Lakers fitojnë pa shumë vështirësi ndaj Dallas Mavericks

Gazeta Express

30/12/2019 11:09

U zhvilluan pesë ndeshjet e radhës në NBA, me mbrëmjen që u hap me përballjen mes Oklahoma City Thunder dhe kampionëve në fuqi të Toronto Raptors.

Në “Scotiabank Arena” të Torontos rezultati përfundimtar ishte 98-97 në favor të Oklahomas, falë paraqitjes mbresëlënëse të Shai Gilgeous-Alexander, autor i 32 pikëve dhe i koshit vendimtar që përcaktoi fituesin. Për t’u përmendur edhe 25 pikët, 11 “rebound” dhe 8 asistet e veteranit Chris Paul. Për Raptors Kyle Lowry shënoi 20 pikë.

Lexo Edhe:

Në ndeshjen e tij të parë si titullar, Michael Porter Jr. realizoi 19 pikë, duke udhëhequr Denver Nuggets drejt suksesit 120-115 përballë Sacramento Kings. Nuk morën vlerë në fund për Kings 27 pikët e Bjelicas dhe 20 të Hield.

Humbje e papritur e Houston Rockets në parketin New Orleans Pelicans me rezultatin 127-112. Në fakt, një disfatë që merr disi kuptim kur mëson se në radhët e Rockets nuk luajtën dy “yjet” e tyre, James Harden dhe Russel Westbrook. Për skuadrën nga Louisiana katër lojtarë shënuan 25 a më shumë pikë: Lonzo Ball, Brandon Ingram, Jrue Holiday dhe E’Twaun Moore.

Sukses edhe për Memphis Grizzlies, që iu imponuan me rezultatin 117-104 Charlotte Hornets.

Në takimin e fundit të mbrëmjes, Los Angeles Lakers fituan pa shumë vështirësi ndaj Dallas Mavericks, 108-95. Talenti slloven, Luka Doncic, nuk ishte ai i zakonshmi në “Staples Center”, ku shkëlqeu me 23 pikë Anthony Davis, ndërsa Dwight Howard shtoi edhe 15 pikë të tjera për kalifornianët në vetëm 19 minuta lojë.

Rezultatet:

OKC Thunder – Toronto Raptors 98-97

Charlotte Hornets – Memphis Grizzlies 104-117

Houston Rockets – New Orleans Pelicans 112 – 127

Sacramento Kings – Denver Nuggets 115 – 120

Dallas Mavericks – Los Angeles Lakers 95-108