NBA, “bien” Lakers dhe Phoenix, fitojnë Utah, Clippers dhe Dallas - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

09/04/2021 14:09

NBA, “bien” Lakers dhe Phoenix, fitojnë Utah, Clippers dhe Dallas

Sport

Gazeta Express

09/04/2021 14:09

Vazhdojnë luhatjet për Los Angeles Lakers në këtë sezon të NBA.

Pa dy yjet e ekipit LeBron James dhe Anthony Davis kampionët në fuqi pësuan humbjen e 6-të në 10 ndeshjet e fundit pasi u mposhtën në transfertën e Floridas me rezultatin 110-104 nga Miami Heat.

Kjo ishte një përsëritje e finales së madhe të edicionit të kaluar të NBA, me Miamin që iu fal 28 pikëve të realizuara nga ylli Jimmy Butler për të marrë fitoren e radhës në American Airlines Arena.

Përveç Butler, një paraqitje të mirë për skuadrën nga Florida që mori suksesin e 5-të në 6 ndeshjet e fundit bëri edhe Victor Oladipo, autor i 18 pikëve.

Te Lakers nuk mjaftuan 28 pikët e realizuara nga Caldwell-Pope dhe 15 pikë 12 rebound dhe 3 asiste të afrimit më të fundit Andre Drummond. 

U rikthye te fitorja pas 2 humbjesh rresht Utah Jazz që kaloi pa vështirësi në Salt Lake City Portland Trail Blazzers me rezultatin 122-103.

Thjeshtë i shkëlqyer Donovan Mithcell për Utah pasi arriti të koleksiononte në total 37 pikë 5 rebound dhe 4 asiste. Me 39 fitore në 52 takime për momentin Jazz kryesojnë të pashqetësuar Konferencën e Perëndimit. Për të ndalur ecurinë perfekte prej 7 fitoresh rresht të Phoenix Suns mendoi Los Angeles Clippers.

Në Staples Center kalifornianët triumfuan me rezultatin e 113-103 për meritë të dyshes Paul George-Kawhi Leonard. I pari rezultoi pikëshënuesi më i mirë i sfidës me 33 pikë, ndërkohë Leonard shtoi 27 pikë të tjera por edhe 5 rikuperime poshtë tabelës dhe 5 pasime deçizive në suksesin e Clippers.

Moment jo për Milwaukee Bucks që pësoi humbjen e 2-të rresht dhe të 5-ën në 10 takimet e fundit. Skuadra nga Wisconsin u mposht në Texas nga Dallas Mavericks me rezultatin 116-101 në një ndeshje ku diferencën e bëri ylli slloven Luka Doncic autor i 27 pikëve ndërsa i ndihmoi Mavericks edhe me 9 rebound e 9 asiste.

Monstruoz edhe letonezi Kristaps Porzingis për Dallas autor i 26 pikëve dhe 17 rebound, ndërkohë që te Bucks u ndje mungesa e liderit të ekipit grekut Giannis Antetokounmpo. /SS/