string(77) "nato-sot-del-me-master-plan-te-ri-ne-rast-te-sulmit-ne-shume-fronte-nga-rusia"

Lajme

Gazeta Express

21/10/2021 10:14

NATO sot del me master-plan të ri në rast të sulmit në shumë fronte nga Rusia

Lajme

Gazeta Express

21/10/2021 10:14

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s pritet që të enjten të pajtohen për një master-plan të ri për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm i mundshëm i Rusisë në shumë fronte në përpjekje për ta parandaluar rrezikun nga Moska, pavarësisht fokusit të ri ndaj Kinës, thanë diplomatët dhe zyrtarët.

Strategjia, e cila është konfidenciale, shkon përtej planeve ekzistuese rajonale të mbrojtjes dhe ka për synim që të bëhen përgatitje për ndonjë sulm në rajonet e Detit Baltik dhe Detit të Zi, përfshirë përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, sulmin nga hapësira ose hakimin e kompjuterëve.

Zyrtarët dhe diplomatët thonë se rreziku për një sulm të tillë nuk është i menjëhershëm. Rusia mohon se ka qëllime që lidhen me luftën dhe thotë se është NATO-ja ajo që po rrezikon ta destabilizojë Evropën me përgatitje të tilla, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Por zyrtarët amerikanë, diplomatët e NATO-s dhe disa ish-zyrtarë thonë se master-plani i ri dhe plani për zbatimin strategjik të tij janë të nevojshëm në kohën kur Rusia po zhvillon sisteme të avancuara armësh dhe po dërgon trupa e pajisje më afër kufijve të aleatëve.

“Nëse e keni këtë lloj të konfliktit të madh, do të kërkojë aktivitet në mbarë zonën e operacioneve. Gjëra të ndryshme do të mund të ndodhnin njëkohësisht  dhe një gjë e tillë vërtet kërkon planifikim gjithëpërfshirës”, tha një zyrtar i qeverisë amerikane.

Në maj, Rusia grumbulloi rreth 100.000 trupa afër kufirit të saj me Ukrainën, që ishte numri më i madh i ushtarëve që nga koha kur Federata Ruse e aneksoi Krimenë nga Ukraina, sipas zyrtarëve perëndimorë. Në shtator, Rusia përdori robotë të rinj luftarakë në ushtrime masive ushtarake së bashku me Bjellorusinë. Ky aktivitet i ka alarmuar shtetet e Baltikut.