Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca ka bërë “përparim të jashtëzakonshëm” një vit pasi vendosi misionin e saj për të forcuar bashkëpunimin përmes investimeve në mbrojtje dhe prodhimit vendor, që redukton varësinë nga furnizuesit jashtë aleancës, shkruan CNN.
Komentet e Rutte-s në fillim të samitit nxjerrin në pah angazhimet evropiane për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, një çështje me rëndësi për presidentin amerikan Donald Trump, i cili e ka kritikuar vazhdimisht aleancën dhe u ka bërë thirrje aleatëve të “bëjnë më shumë”.
“Një vit më parë, në Hagë, aleatët u angazhuan të investojnë shumë më tepër në mbrojtje, 5% të PBB-së deri në vitin 2035 – dhe ne tashmë po bëjmë përparim të jashtëzakonshëm”, tha Rutte të martën në mëngjes në Turqi.
Rutte theksoi se industritë në të gjithë Europën po punojnë “dorë për dore” me homologët e tyre në Amerikën e Veriut për të inovuar dhe zhvilluar kapacitetet e gjeneratës së ardhshme.
“Këto janë kapacitete që janë vërtet ‘Made in NATO’, jo nga një komb i vetëm, por nga disa që punojnë së bashku… kështu e bëjmë aleancën tonë më të fuqishme”, tha ai. “Kështu i mbrojmë 1 miliard njerëzit tanë dhe çdo pëllëmbë të territorit tonë, tani dhe në të ardhmen”.
Ndërkohë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen mbështeti pretendimin e Rutte-s, duke konfirmuar se Danimarka po i përmbush objektivat e NATO-s. “Europa duhet të armatoset që të mund të kujdesemi për njerëzit tanë dhe shoqërinë tonë. Nga ana daneze, ne po i përmbushim detyrimet tona”, tha Frederiksen.
Udhëheqësja daneze tërhoqi vëmendjen te kërcënimi që, sipas saj, Europa përballet nga Rusia, ndërsa lufta e presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës vazhdon.
“Duhet të jetë e qartë për të gjithë se janë gjithashtu liria dhe siguria jonë ato që ukrainasit po i mbrojnë. Dhe ata nuk mund ta fitojnë luftën me fjalë”, shtoi Frederiksen.