NATO: Nuk do të njohim kurrë referendumet e rreme të Rusisë në Ukrainë - Gazeta Express
string(69) "nato-nuk-do-te-njohim-kurre-referendumet-e-rreme-te-rusise-ne-ukraine"

NATO: Nuk do të njohim kurrë referendumet e rreme të Rusisë në Ukrainë

Gazeta Express

22/09/2022 23:18

Aleanca ushtarake e NATO-s dënoi planet e Moskës për të mbajtur të ashtuquajturat referendume në rajonet e pushtuara të Ukrainës. Aleanca u bëri thirrje të enjten të gjitha shteteve që të refuzojnë ato që i cilësoi si “përpjekje të qarta të Rusisë për pushtim territorial”.

“Referendumet e rreme në rajonet e Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhjës dhe Hersonit, nuk kanë legjitimitet dhe do të jenë shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara”, tha NATO përmes një deklarate.

Lexo Edhe:

Separatistët në këto katër rajone ukrainase njoftuan më 20 shtator se të ashtuquajturat referendume për bashkim me Rusinë do të mbahen nga 23 deri më 27 shtator.

“Aleatët e NATO-s nuk do të njohin aneksimin e tyre të paligjshëm. Këto territore janë të Ukrainës”, u tha në deklaratë.

Një ditë pas njoftimet për planet për mbajtjen e të ashtuquajturave referendume, presidenti rus, Vladimir Putin, mbështetin mbajtjen e tyre.

Katër rajonet ku janë planifikuar të mbahen votimet përbëjnë rreth 15 për qind të territorit të Ukrainës.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se qëllimi i tij është që të “çlirojë” rajonin lindor ukrainas të Donbasit.

Më 2014, në Gadishullin ukrainas të Krimesë ishte mbajtur një i ashtuquajtur referendum për bashkim me Rusinë. Pas votimeve, Rusia e njohu Krimenë si pjesë të saj, por komuniteti ndërkombëtar i ka quajtur votimet e manipuluara dhe nuk e ka njohur rezultatin.