NATO mirëpret formimin e qeverisë së re, Shekerinska: Pa vullnet politik në Prishtinë dhe Beograd, dialogu s'mund të ketë sukses - Gazeta Express
string(124) "nato-mirepret-formimin-e-qeverise-se-re-shekerinska-pa-vullnet-politik-ne-prishtine-dhe-beograd-dialogu-smund-te-kete-sukses"

Lajme

Gazeta Express

16/02/2026 12:21

NATO mirëpret formimin e qeverisë së re, Shekerinska: Pa vullnet politik në Prishtinë dhe Beograd, dialogu s’mund të ketë sukses

Lajme

Gazeta Express

16/02/2026 12:21

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka deklaruar se e ardhmja e dialogut ndërmjet dy vendeve varet ekskluzivisht nga vullneti politik i palëve, ndërsa NATO do të vazhdojë ta mbështesë procesin përmes rolit të saj në terren.

Në një intervistë për Telegrafin, ajo theksoi se KFOR mbetet një mision kyç për krijimin e një mjedisi të sigurt, i cili mundëson zhvillimin e dialogut politik të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“KFOR-i është atje si pjesë e detyrimeve tona për paqen dhe sigurinë në rajon. Ai është parë gjithmonë si një mision që krijon kushte të mjaftueshme për të mbështetur dialogun politik të udhëhequr nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës. Është shumë e rëndësishme, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku NATO dhe BE-ja kanë një partneritet të vërtetë strategjik. Ne ofrojmë KFOR-in dhe mbështetjen që ai jep si një mjedis të sigurt, në mënyrë që dialogu politik të mund të ecë përpara”, ka deklaruar ajo.

Shekerinska ka bërë të ditur se kanë konsultime të vazhdueshme me Përfaqësuesin Special të BE-së, Sorensen.

“Mendoj se ai do t’i bashkohet sërish një prej seancave të NAC-së për të diskutuar këto çështje. Por, në fund të ditës, dialogu politik do të jetë i suksesshëm vetëm nëse ka vullnet politik në Prishtinë dhe Beograd. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të angazhohen në këtë proces me ndjenjë përgjegjësie dhe gatishmëri për kompromis”, është shprehur ajo

Ajo ka mirëpritur gjithashtu formimin e qeverisë së re në Prishtinë.

“Ne mirëpresim zgjedhjen e një qeverie të re në Prishtinë dhe shpresojmë që kjo të shërbejë si nxitje për dialogun politik, i cili ndoshta është e vetmja rrugë drejt më shumë stabiliteti dhe prosperiteti në rajon”, ka përfunduar Shekerinska.

Duke folur për të ardhmen e KFOR-it në Kosovë, ajo ka theksuar se do të zhvillohen diskutime të vazhdueshme.

“Si me çdo mision, ne vlerësojmë dhe shqyrtojmë nevojat e ardhshme. Kjo do të varet nga ecuria e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, nga vlerësimet e Përfaqësuesit Special, të personelit tonë në terren, të autoriteteve ushtarake dhe, natyrisht, nga pikëpamjet e aleatëve. Është një proces i vazhdueshëm. Por është dialogu politik ai që hap rrugën drejt paqes dhe sigurisë. Prania jonë ushtarake mund të jetë vetëm ndihmë dhe inkurajim; nuk mund ta zgjidhë problemin. U bëjmë thirrje autoriteteve, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, që të angazhohen seriozisht, me përkushtim të plotë dhe me mirëkuptimin se kompromiset janë ndonjëherë të vështira, por gjithmonë të nevojshme”, ka potencuar ajo.

Advertisement
Advertisement
Advertisement