Udhëheqësit e NATO-s kanë miratuar të mërkurën një rritje të madhe prej 5% të shpenzimeve për mbrojtjen dhe kanë riafirmuar angazhimin e tyre për të mbrojtur njëri-tjetrin nga çdo sulm, pas një samiti të shkurtër të mbajtur në Hagë.
Përmes një deklarate të shkurtër, NATO ka njoftuar miratimin e një objektivi të ri për shpenzimet e mbrojtjes – 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035 – një përgjigje kjo ndaj kërkesës së Trump dhe frikës së evropianëve se Rusia paraqet një kërcënim gjithnjë e më të madh për sigurinë e tyre pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Bëhet e ditur se të 32 udhëheqësit miratuan një deklaratë përfundimtare të samitit, ku thuhej:
“Aleatët angazhohen të investojnë 5% të PBB-së çdo vit për nevoja thelbësore të mbrojtjes, si dhe për shpenzime të lidhura me mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035, për të garantuar përmbushjen e detyrimeve tona individuale dhe kolektive.” Ndër të tjera, në deklaratë thuhet se vendet anëtare do të paraqesin “plane vjetore” që dëshmojnë “një rrugë të besueshme dhe graduale për të arritur këtë objektiv”, me një rishikim më të plotë të përparimit të bërë në vitin 2029.
Tutje, deklarata me pesë pika përfshin gjithashtu një rresht që riafirmon “angazhimin e hekurt të 32 vendeve për mbrojtjen kolektive, siç është parashikuar në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit – se një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve.”
Dokumenti përmban edhe një rresht që premton mbështetje të mëtejshme për Ukrainën dhe thekson se “siguria e saj kontribuon në tonën”, por nuk shkon deri në një dënim të drejtpërdrejtë të Rusisë. Megjithatë, aty përfshihet një formulim i veçantë për “kërcënimin afatgjatë që paraqet Rusia për sigurinë euroatlantike”.
Në vazhdim gjeni deklaratën e plotë të Samitit të NATO-s në Hagë
1. Ne, krerët e shteteve dhe qeverive të Aleancës së Atlantikut të Veriut, jemi mbledhur në Hagë për të riafirmuar angazhimin tonë ndaj NATO-s, Aleancës më të fuqishme në histori, dhe lidhjes transatlantike. Ripohojmë përkushtimin tonë të hekurt për mbrojtjen kolektive, siç është parashikuar në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit – se një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve. Qëndrojmë të bashkuar dhe të vendosur për të mbrojtur një miliard qytetarët tanë, për të mbrojtur Aleancën dhe për të ruajtur lirinë dhe demokracinë tonë.
2. Të bashkuar përballë kërcënimeve dhe sfidave të thella për sigurinë, veçanërisht kërcënimit afatgjatë që paraqet Rusia për sigurinë euroatlantike dhe kërcënimit të vazhdueshëm të terrorizmit, Aleatët angazhohen të investojnë 5% të PBB-së çdo vit për nevojat thelbësore të mbrojtjes si dhe për shpenzimet që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035, për të garantuar përmbushjen e detyrimeve tona individuale dhe kolektive, në përputhje me Nenin 3 të Traktatit të Uashingtonit. Investimet tona do të garantojnë forcat, kapacitetet, burimet, infrastrukturën, gatishmërinë për luftim dhe reziliencën e nevojshme për të parandaluar dhe mbrojtur sipas tre detyrave thelbësore të NATO-s: parandalimi dhe mbrojtja, parandalimi dhe menaxhimi i krizave, dhe siguria bashkëpunuese.
3. Aleatët bien dakord se ky angazhim prej 5% do të përbëhet nga dy kategori thelbësore të investimeve për mbrojtje. Aleatët do të ndajnë të paktën 3.5% të PBB-së çdo vit sipas përkufizimit të dakordësuar të shpenzimeve të mbrojtjes të NATO-s deri në vitin 2035 për të mbështetur kërkesat thelbësore të mbrojtjes dhe për të përmbushur Objektivat e Kapacitetit të NATO-s. Aleatët bien dakord të dorëzojnë plane vjetore që tregojnë një rrugë të besueshme dhe graduale drejt këtij objektivi. Gjithashtu, Aleatët do të përllogarisin deri në 1.5% të PBB-së çdo vit për të mbrojtur infrastrukturën kritike, për të mbrojtur rrjetet tona, për të siguruar përgatitjen civile dhe reziliencën, për të nxitur inovacionin dhe për të forcuar bazën industriale të mbrojtjes. Ecuria dhe ekuilibri i shpenzimeve sipas këtij plani do të rishikohen në vitin 2029, në përputhje me ambientin strategjik dhe objektivat e përditësuara të kapacitetit. Aleatët ripohojnë përkushtimet e tyre të qëndrueshme sovrane për të ofruar mbështetje për Ukrainën, siguria e së cilës kontribuon në sigurinë tonë, dhe, për këtë qëllim, do të përfshijnë kontributet direkte për mbrojtjen e Ukrainës dhe industrinë e saj të mbrojtjes në llogaritjet e shpenzimeve të tyre për mbrojtje.
4. Ripohojmë përkushtimin tonë të përbashkët për të zgjeruar shpejt bashkëpunimin transatlantik në industrinë e mbrojtjes dhe për të shfrytëzuar teknologjitë e reja dhe shpirtin e inovacionit për të forcuar sigurinë tonë kolektive. Do të punojmë për të eliminuar barrierat tregtare për mbrojtjen mes Aleatëve dhe do të shfrytëzojmë partneritetet tona për të nxitur bashkëpunimin industrial të mbrojtjes.
5. Shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen bujare që na u ofrua nga Mbretëria e Holandës. Me padurim presim takimin tonë të ardhshëm në Turqi në vitin 2026, i cili do të pasohet nga një takim në Shqipëri.