Udhëheqësit e një misioni të NASA-s për vëzhgimin e ekzoplanetëve njoftuan se iu ka humbur kontakti me një satelit që përdorej për këtë qëllim.
Zyrtarët amerikanë thanë se për herë të fundit kishin arritur të vendosin kontakte me satelitin e zhdukur më 5 dhjetor.
Sonda e zhdukur ishte e para e këtij lloji që ishte dërguar në orbitën e Tokës në vitin 2017 dhe ishte shfrytëzuar për tre muaj me qëllim të zbulimit të planetëve të rinj përmes vëzhgimit të ndryshimeve në dritën e yjeve të afërta.
Pas përfundimit të misionit të parë në shkurt të vitit 2018, sateliti “Asteria” ishte përdorur për tri misione të tjera.
Ky satelit ishte përdorur edhe për testimin e softuerëve të ndryshëm për t’i bërë satelitët më autonomë gjatë kohës së qëndrimit në orbitë, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.