NASA ka publikuar pamjen më të mprehtë ndonjëherë të skajit të një vrime të zezë supermasive, një arritje që mund të hedhë dritë mbi një mister të vjetër të astronomisë.
E vendosur rreth 13 milionë vite-dritë larg Tokës, Galaktika Circinus strehon një vrimë të zezë supermasive që lëshon vazhdimisht rrezatim në hapësirë. Retë e gazit jashtëzakonisht të nxehtë që e rrethojnë janë aq të ndritshme, sa deri më tani e kanë bërë pothuajse të pamundur dallimin e detajeve reale.
Tani, falë Teleskopit Hapësinor James Webb (JWST), shkencëtarët e NASA-s kanë arritur të zbulojnë me saktësi forcat e fuqishme që veprojnë në skajin e kësaj vrime të zezë.
Si ushqehen vrimat e zeza supermasive
Vrimat e zeza supermasive, si ajo në Circinus, qëndrojnë “aktive” duke përpirë vazhdimisht materie nga galaktika përreth. Teksa kjo materie afrohet, ajo formon një unazë të dendur në formë donuti, të quajtur torus, e cila rrotullohet rreth vrimës së zezë.
Nga pjesa e brendshme e torusit krijohet disku i akrecionit – një vorbull materieje që rrotullohet si uji që zbret në një lavaman. Fërkimi e nxeh këtë disk deri në pikën që ai fillon të shkëlqejë fuqishëm dhe të jetë i dukshëm për teleskopët.

Në të njëjtën kohë, një pjesë e madhe e materies së përthithur shpërthehet jashtë poleve të vrimës së zezë në formën e rrjedhave energjetike (outflows) ose “jet-eve”.
Misteri i rrezatimit infra të kuq
Prej vitesh, astronomët e dinin se këto procese prodhojnë sasi të mëdha energjie infra të kuqe, por teleskopët ekzistues nuk kishin ndjeshmërinë e duhur për të përcaktuar burimin e saktë të saj. Modelet teorike supozonin se pjesa më e madhe e rrezatimit vinte nga rrjedhat energjetike.
Por vëzhgimet e reja të JWST-së e kanë përmbysur këtë ide.
Autori kryesor i studimit, Dr. Enrique Lopez-Rodriguez nga Universiteti i Karolinës së Jugut, shpjegon se që nga vitet ’90 shkencëtarët nuk kanë qenë në gjendje të shpjegojnë tepricën e rrezatimit infra të kuq që vjen nga pluhuri i nxehtë në bërthamat e galaktikave aktive.

Teknologjia që ndryshoi gjithçka
Zgjidhja erdhi nga përdorimi i një teknike të avancuar të quajtur Aperture Masking Interferometry, e cila e shndërron JWST-në në disa teleskopë më të vegjël që punojnë së bashku si një i vetëm. Një maskë speciale me shtatë hapje gjashtëkëndore lejon arritjen e një rezolucioni shumë më të lartë.
“Është sikur të vëzhgosh me një teleskop hapësinor 13 metra, në vend të atij 6.5 metra”, shpjegon Dr. Lopez-Rodriguez.
Falë kësaj teknike, studiuesit krijuan imazhin e parë ndërgalaktik të realizuar me interferometri infra të kuqe nga hapësira – një pamje pa precedent e zemrës së një galaktike aktive.
Një përmbysje totale e parashikimeve
Rezultatet tregojnë se rreth 87 për qind e rrezatimit infra të kuq nga pluhuri i nxehtë në Circinus vjen nga zonat më të afërta me vrimën e zezë, ndërsa rrjedhat energjetike kontribuojnë me më pak se 1 për qind. Kjo bie ndesh plotësisht me parashikimet e modeleve më të mira teorike të deritanishme.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo vlen për Circinus, ku disku i akrecionit nuk është jashtëzakonisht i ndritshëm. Në vrima të zeza më aktive, raporti mund të jetë ndryshe.

Hapi i radhës
Në univers ekzistojnë miliarda vrima të zeza supermasive. Tani që teknika është provuar, astronomët synojnë të studiojnë një mostër më të gjerë – dhjetëra objekte – për të kuptuar më mirë lidhjen mes masës së diskut të akrecionit, rrjedhave energjetike dhe fuqisë së përgjithshme të vrimave të zeza.
“Na duhet një kampion statistikor për të kuptuar se si këto procese lidhen me energjinë që prodhojnë”, thotë Dr. Lopez-Rodriguez.
Çfarë janë vrimat e zeza?
Vrimat e zeza janë objekte jashtëzakonisht të dendura me një tërheqje gravitacionale aq të fortë, sa as drita nuk mund t’u shpëtojë. Ato thithin gazin dhe pluhurin përreth dhe mendohet se luajnë rol kyç në strukturën dhe lëvizjen e galaktikave.
Origjina e tyre ende nuk kuptohet plotësisht. Një teori sugjeron se ato formohen nga shembja e reve gjigante të gazit ose nga yje masivë, deri 100 herë më të mëdhenj se Dielli, që shpërthejnë si supernova dhe më pas kolapsojnë, duke krijuar vrima të zeza – farat e atyre supermasive që gjenden sot në qendrat e galaktikave. /GazetaExpress/