NASA publikon imazhet e shumëpritura: objekti misterioz 3I/ATLAS nuk është anije alienësh, por një kometë ndëryjore - Gazeta Express
string(113) "nasa-publikon-imazhet-e-shumepritura-objekti-misterioz-3i-atlas-nuk-eshte-anije-alienesh-por-nje-komete-nderyjore"

Mistere

Gazeta Express

21/11/2025 20:09

NASA publikon imazhet e shumëpritura: objekti misterioz 3I/ATLAS nuk është anije alienësh, por një kometë ndëryjore

Mistere

Gazeta Express

21/11/2025 20:09

NASA ka publikuar më në fund imazhet e shumëpritura të objektit misterioz që po lëviz me shpejtësi përmes sistemit tonë diellor – duke i dhënë fund spekulimeve të shumta për origjinën e tij.

Objekti, i zbuluar për herë të parë në korrik dhe i quajtur 3I/ATLAS, u bë pjesë e debatit publik dhe shkencor, madje tërhoqi vëmendjen e figurave të njohura si Kim Kardashian, e cila kërkoi përgjigje nga NASA.

Shumica e shkencëtarëve besonin se bëhej fjalë për një kometë të ardhur nga një tjetër sistem yjor. Megjithatë, të tjerë – përfshirë një anëtar të Kongresit amerikan dhe një studiues të Harvardit – këmbëngulnin se objekti mund të ishte një anije kozmike e civilizimeve jashtëtokësore.

Tani dilemat kanë marrë fund. NASA publikoi fotografi të realizuara nga tre anije të saj në Mars, të cilat kaluan rreth 18 milionë milje larg objektit. Imazhet konfirmojnë qartë se 3I/ATLAS është një kometë ndëryjore, dhe jo teknologji alienësh.

“Dëshirojmë shumë të gjejmë shenja jete në univers… por 3I/ATLAS është një kometë,” deklaroi Amit Kshatriya, zyrtar i lartë i NASA-s, gjatë një konference për media.

Si duket kometa 3I/ATLAS nga afër

Një nga imazhet kryesore u kap nga kamera HiRISE në orbitë rreth Marsit. Në foto, kometa duket si një top i zbehtë i turbullt.

“Sipas rezolucionit prej rreth 30 kilometrash për piksel, 3I/ATLAS shfaqet si një top i bardhë i pikselizuar,” shpjegoi NASA.

Ajo re e bardhë është koma – një mbulesë pluhuri e akulli që kometa lëshon teksa udhëton pranë Marsit.

Analiza e mëtejshme e këtyre fotografive pritet t’i ndihmojë shkencëtarët të përcaktojnë madhësinë e bërthamës së kometës – pjesës së ngurtë të saj të përbërë nga akuj dhe grimca pluhuri.

Anija tjetër e NASA-s, MAVEN, e fotografoi kometën në dritë ultravjollcë, duke përdorur disa gjatësi valore për të identifikuar hidrogjenin dhe molekula të tjera që kometa lëshon në hapësirë.

Edhe roveri Perseverance në sipërfaqen e Marsit arriti të kapte një imazh të kometës, falë një ekspozimi shumë të gjatë, duke qenë se objekti ishte tepër i zbehtë për t’u vërejtur.

NASA publikoi gjithashtu fotografi shtesë nga observatorët hapësinorë STEREO dhe SOHO.

Shkencëtarët: Asgjë e mbinatyrshme, vetëm fizikë

Thomas Puzia, astrofizikan dhe udhëheqës i ekipit që zbuloi objektin nga një observator në Kili, tha për AFP se debati i gjerë publik ishte “i jashtëzakonshëm”, por paralajmëroi kundër sensacionalizmit:

“Është shumë e rrezikshme dhe mashtruese të vendosësh spekulimin mbi procesin shkencor. Të gjitha faktet, pa përjashtim, tregojnë se ky është një objekt normal që vjen nga hapësira ndëryjore drejt nesh.”

Ai shtoi se kometa është “jashtëzakonisht interesante nga natyra e saj, por asgjë që nuk mund të shpjegohet përmes fizikës.”

Harvardiani skeptik që ende nuk bindet

Megjithatë, profesori i Harvardit, Avi Loeb – i njohur për teoritë e tij të guximshme mbi objektet ndëryjore – vazhdon të mos jetë plotësisht i bindur.

“Sigurisht që mund të jetë natyral,” tha ai. “Por gjithashtu duhet të marrim në konsideratë mundësinë që të jetë teknologjik, sepse nëse është, atëherë pasojat për njerëzimin do të ishin kolosale.” /GazetaExpress/