NASA ka publikuar fotot e shumëpritura të objektit misterioz që po lëviz në sistemin tonë diellor, duke konfirmuar përfundimisht identitetin e tij.
Që kur u zbulua për herë të parë në korrik, objekti – i quajtur 3I/ATLAS – ka magjepsur shkencëtarët dhe përdoruesit e internetit, aq sa Kim Kardashian u interesua për t’i kërkuar NASA-s sqarime.
Shumë shkencëtarë argumentonin se bëhej fjalë thjesht për një kometë që po vizitonte Tokën nga një sistem diellor tjetër.

Megjithatë, disa, përfshirë një anëtar të Kongresit Amerikan dhe një studiues të Harvardit, mendonin se objekti mund të ishte një anije kozmike alien.
Tani, NASA ka publikuar fotografi të marra nga tre anijet e saj hapësinore që shkojnë pranë Marsit, kur 3I/ATLAS ndodhej vetëm 18 milion milje larg.
Këto imazhe konfirmojnë përfundimisht natyrën e objektit: është një kometë.
“Dëshirojmë shumë të gjejmë shenja jete në univers… por 3I/ATLAS është një kometë,” tha Amit Kshatriya, një zyrtar i lartë i NASA-s, gjatë një konference shtypi të mërkurën.
Fotot dhe analizat
HiRISE, një kamerë e anijes së NASA-s, e ka kapur kometën si një top të bardhë të mjegullt, një re pluhuri dhe akulli e quajtur koma, që kometa lëshon gjatë kalimit të saj pranë Marsit.

MAVEN, një tjetër anije hapësinore e NASA-s, ka fotografuar kometën me kamera UV për të identifikuar hidrogjenin që lëshon 3I/ATLAS.
Perseverance, rover-i mbi Mars, ka kapur gjithashtu një imazh të kometës me kamerën Mastcam-Z, duke përdorur ekspozim të gjatë për të parë objektin e dobët.
NASA synon të analizojë kombinimin e këtyre fotove për të identifikuar molekula të ndryshme dhe për të kuptuar më mirë përbërjen e kometës.

Shqetësimet për jetën alien
Idetë se kometa mund të ishte një anije kozmike u nxiten nga profesori i Harvardit, Avi Loeb, i cili ende nuk është bindur plotësisht nga sqarimet e NASA-s. Ai tha për AFP:
“Sigurisht që mund të jetë natyrore, por duhet të konsiderojmë mundësinë që të jetë teknologjike, sepse nëse është, pasojat për njerëzimin do të jenë të mëdha.”


Sidoqoftë, sipas studiuesit Thomas Puzia, i cili drejtoi ekipin në observatorin kilian që bëri zbulimin:
“Të gjitha faktet tregojnë për një objekt normal që vjen nga hapësira ndër-yjore. Kjo kometë është shumë e veçantë në natyrën e saj, por mund të shpjegohet me fizika.” /GazetaExpress/