NASA ka përgënjeshtruar zyrtarisht një teori të çuditshme konspirative që po qarkullon në rrjetet sociale, sipas së cilës Toka do të humbasë gravitetin për shtatë sekonda më 12 gusht, duke shkaktuar pasoja katastrofike.
Sipas kësaj teorie, më 12 gusht në orën 14:33 GMT (09:33 sipas orës lindore amerikane), graviteti i Tokës do të zhduket përkohësisht, çka – sipas pretendimeve – mund të shkaktojë deri në “40 milionë vdekje nga rrëzimet”. Mbështetësit e saj pretendojnë se ky “sekret” rrjedh nga një dokument i NASA-s me emrin Project Anchor, i cili gjoja është “rrjedhur” në nëntor 2024.
Pretendimi shkaktoi panik dhe debat në platformën X (ish-Twitter), ku përdorues të shqetësuar pyesnin pse teoria përfshinte një datë të saktë, një emër projekti dhe madje edhe një buxhet të supozuar.



Por ekspertët e NASA-s kanë sqaruar se bëhet fjalë për një keqkuptim themelor të mënyrës se si funksionon graviteti. Një zëdhënës i NASA-s i tha faqes verifikuese Snopes se:
“Toka nuk do ta humbasë gravitetin më 12 gusht 2026. Graviteti i Tokës përcaktohet nga masa e saj totale. E vetmja mënyrë që Toka të humbiste gravitetin do të ishte humbja e një pjese të konsiderueshme të masës së saj – gjë që nuk ka asnjë bazë reale.”

NASA thekson gjithashtu se nuk ekziston asnjë provë për ekzistencën e një dokumenti të tillë apo të një projekti të quajtur Project Anchor përpara dhjetorit të vitit të kaluar.
Gjurmët më të hershme të teorisë lidhen me një përdorues në Instagram, i cili pretendonte se graviteti do të zhdukej për shkak të “ndërprerjes së valëve gravitacionale” të krijuara nga përplasja e vrimave të zeza. I njëjti përdorues ka shpërndarë edhe histori tërësisht të fabrikuara dhe ka pretenduar se ka ushtruar profesione të ndryshme, nga punonjës i Google deri te psikiatër apo kriminolog, duke minuar më tej besueshmërinë e tij.



Me përhapjen e teorisë, përdorues të tjerë shtuan elementë të rinj, si lidhja e ngjarjes me një eklips diellor total mbi Oqeanin Arktik apo pretendime se miliarderët po ndërtojnë bunkerë në pritje të katastrofës. Madje, teoricienët e konspiracionit filluan të akuzonin njëri-tjetrin si pjesë të së njëjtës “mashtrim global”.
Shkencëtarët sqarojnë se edhe pse valët gravitacionale ekzistojnë realisht dhe krijohen nga përplasjet e vrimave të zeza, ato janë jashtëzakonisht të dobëta. Dr. William Alston, ekspert i vrimave të zeza nga Universiteti i Hertfordshire, shpjegon se këto valë janë aq të vogla saqë duhen instrumente jashtëzakonisht të ndjeshme, si observatorët LIGO dhe Virgo, për t’i zbuluar. Ato kalojnë vazhdimisht përmes Tokës pa shkaktuar asnjë efekt të ndjeshëm.


Po ashtu, edhe pse më 12 gusht do të ndodhë një eklips diellor, ai nuk ka asnjë ndikim të pazakontë në gravitetin e Tokës. Eklipsi ndodh kur Hëna rreshtohet me Diellin, por forcat gravitacionale të këtyre trupave qiellorë nuk ndryshojnë gjatë këtij procesi.
NASA thekson se tërheqja gravitacionale e Diellit dhe Hënës ndikon vetëm në baticat dhe zbaticat, jo në gravitetin total të Tokës, dhe këto fenomene janë të njohura dhe të parashikueshme me dekada përpara.
Pse disa njerëz besojnë teoritë konspirative?
Studime të kryera nga Universiteti i Kentit tregojnë se besimi në teoritë konspirative lidhet shpesh me tipare të caktuara psikologjike, si niveli i ulët i vetëvlerësimit dhe prirjet narcisiste. Megjithatë, nuk është e qartë nëse këto tipare janë shkaku apo pasojë e këtij besimi.
Sipas studiuesve, ekzistojnë tre arsye kryesore pse njerëzit priren të besojnë teori konspirative: dëshira për shpjegim dhe siguri, nevoja për ndjenjë kontrolli dhe mbrojtjeje, si dhe përpjekja për të ruajtur një imazh pozitiv për veten, sidomos te individët që ndihen të përjashtuar shoqërisht. /GazetaExpress/