Napoli është në kërkim të një sulmuesi të ri qendror për të zëvendësuar të dëmtuarin Romelu Lukaku, dhe sipas Football Italia, klubi napolitan është ofruar me mundësinë për të nënshkruar me Rasmus Højlund nga Manchester United, i cili është gjithashtu objektiv i Milanit.
Romelu Lukaku do të mungojë për disa muaj pas dëmtimit që pësoi gjatë një miqësoreje të fituar nga Napoli ndaj Olympiacos javën e kaluar.
Disa opsione si Nicolas Jackson i Chelseat janë konsideruar shumë të kushtueshme për skuadrën e Antonio Conte-s, ndaj klubi po synon të sjellë një sulmues me profil të ngjashëm me Lukakun.
Højlund mes Milanit dhe Napolit
Sipas raportimeve të Gianluigi Longari, Napoli është ofruar së fundmi me shansin për të marrë Højlund nga Manchester United.
Sulmuesi danez ka qenë prej javësh në radarët e Milanit, ndërsa Massimiliano Allegri dhe stafi i tij kërkojnë një alternativë për të konkurruar Santiago Gimenez. Rossonerët kanë marrë në konsideratë edhe pistën Dusan Vlahovic nga Juventusi.
Megjithatë, tashmë Milan nuk është i vetmi klub italian me shansin për të arritur një marrëveshje me United për Højlund. Napoli do të bëjë vlerësimet e tij në ditët në vijim përpara se të marrë një vendim se cilin drejtim do të ndjekë në merkato. /GazetaExpress/