Liga e Kampionëve do të rikthehet sonte me ndeshjet e xhiros së dytë të fazës së grupeve.
Pa dyshim, loja kryesore e natës do të jetë ajo mes Napolit dhe Real Madridit, e vlefshme për Grupin C.
Kampioni italian dhe gjiganti spanjoll i fituan duelet e para përkatëse.
E tash, ato do ta synojnë fitoren për t’u shkëputur në tabelë dhe për ta marrë primatin, shkruan “Gazeta Express”.
“Los Blancos” kanë udhëtuar në Itali me disa mungesa shkaku i lëndimeve.
Nga ana tjetër, napolitanët nuk do të mundë të llogarisin në dyshen e qendrës së mbrojtjes, Amir Rrahmani e Juan Jesus, të dy të lënduar.
Napoli e bëri mrekullinë në edicionin e kaluar të Championsit duke shkuar deri në çerekfinale.
Ky ekip do të mundohet ta përsërisë këtë sukses edhe në këtë sezon.
Nga ana tjetër, madrilenët çdo vit e kanë për qëllim ta fitojnë trofeun e Ligës së Kampionëve.
Ndërkohë, nënkampioni evropian, Inter, do ta kërkojë fitoren e parë sezonale në këtë kompeticion.
“Nerazzurri” barazuan me Real Sociedadin në ndeshjen e parë në Spanjë.
Ndërsa tash, ata do ta presin Benficën, e cila u mposht në shtëpi nga Salzburgu në ndeshjen e parë të Grupit D.
Ndërkohë, në Grupin A, Bayern Munichu llogarit në fitore në vizitën që do t’ia bëjë Copenhagen.
Gjiganti bavarez e nisi me këmbë të mbarë kampanjën e re në Champions duke e mundur Manchester Unitedin në një ndeshje mjaft interesante.
Nga ana e tyre, “Djajtë e Kuq” sonte duan t’ia bëjnë sefte fitores në përballjen që do ta kenë me Galatasarayn, i cili barazoi me Copenhagen në lojën e parë, shkruan “Gazeta Express”.
E në Grupin B, Arsenali do ta vizitojë Lensin në Francë në kërkim të fitores së dytë pasi e mundi PSV Eindhovenin pastër në lojën e parë.
Kurse, Sevilla do të ketë punë me PSV-në në udhëtim pas barazimit me Lensin në sfidën e parë.
Pjesa dërrmuese e ndeshjeve të sontme të Grupeve A, B, C e D do të fillojnë në orën 21:00. /Gazeta Express/