Raportimet nga Italia bëjnë të ditur se po punohet që Scott McTominay të shpërblehet me një kontratë të re dhe të përmirësuar te Napoli, pas një 18-mujori fantastik në Serie A.
McTominay iu bashkua Napolit nga Manchester United në verën e vitit 2024 për 30.5 milionë euro dhe menjëherë u vendos si një nga lojtarët më të rëndësishëm në “Stadio Maradona”.
Në sezonin e tij të parë në Napoli, mesfushori skocez ndihmoi Partenopeit të fitonin Scudetton e dytë brenda tre vitesh dhe fitoi edhe çmimin MVP të kampionatit.
Në momentin e transferimit nga Manchester United, McTominay firmosi kontratë katërvjeçare që skadon në verën e vitit 2028.
Sipas “Corriere dello Sport”, Napoli dëshiron ta zgjasë marrëveshjen deri në verën e vitit 2030.
Raporti i së dielës thotë se agjenti i McTominay ka mbërritur së fundmi në Napoli për bisedime dhe tashmë ka zhvilluar takim me drejtorin sportiv Giovanni Manna për kushtet e mundshme të kontratës së re.
Shifra konkrete të pagës nuk janë bërë ende publike, por pritet që lojtari të shpërblehet me kushte më të mira personale, pasi gjatë vitit e gjysmë të fundit është vendosur edhe në diskutimet për Topin e Artë.
Sezonin e kaluar, gjatë fushatës së titullit, McTominay realizoi 12 gola dhe 6 asistime, ndërsa këtë sezon ka kontribuar me 10 gola dhe 4 asistime në Serie A dhe Ligën e Kampionëve.
Ai ka munguar në ndeshjen e fundit të Napolit pasi u dëmtua gjatë fitores 3-2 ndaj Genoas fundjavën e kaluar dhe nuk do të jetë në dispozicion kundër Romës të dielën, teksa vazhdon rikuperimin./GazetaExpress/