Antonio Conte zbuloi sot se Kvaratskhelia ka kërkuar të largohet, ndërsa Napoli identifikon zëvendësuesin e tij
Napoli raportohet se tashmë ka identifikuar zëvendësuesin e Khvicha Kvaratskhelia, ndërsa lojtari gjeorgjian duket pranë largimit nga liderët e Serie A.
Sipas Fabrizio Romano, Kvaratskhelia, 23 vjeç, ka arritur një marrëveshje për kontratën e tij pesëvjeçare me Paris Saint-Germain (PSG).
“Paris Saint-Germain ka rënë dakord për çdo term të kontratës së Khvicha Kvaratskhelia-s për pesë vitet e ardhshme. Paga e tij do të jetë katër ose pesë herë më e madhe se aktualja te Napoli. PSG është në negociata me Napolin, siç u raportua dy ditë më parë… Një takim i ri do të mbahet javën e ardhshme për ta finalizuar marrëveshjen”, shkroi Romano.
Pavarësisht se ai u lidh me një kalim të mundshëm me klube si Manchester United dhe Liverpool, duket se PSG do të jetë destinacioni i ardhshëm i lojtarit.
Conte i zhgënjyer nga vendimi i Kvaratskhelia-s
Trajneri i Napolit, Antonio Conte, pranoi gjatë një konference për shtyp se lojtari kishte kërkuar të largohej.
“Kvaratskhelia ka kërkuar të largohet nga klubi,” tha ai.
“Fola me Khvicha-n dhe ai më konfirmoi planin e tij për t’u larguar menjëherë”.

“Personalisht ndihem shumë i zhgënjyer, sepse kam kaluar gjashtë muaj duke u përpjekur ta bëj Kvara-n të ndihet në qendër të projektit, duke punuar me të dhe me klubin për rinovimin”, shprehi Conte zhgënjimin e tij personal.
“Nga këndvështrimi im, kjo është një zhgënjim i madh. Sot më duhet të tërhiqem. Nuk mund t’i mbaj ata që duan të largohen me forcë. E kam bërë këtë gjatë verës dhe pata gjashtë muaj për të bindur të gjitha palët për të gjetur një zgjidhje”.
Conte gjithashtu konfirmoi se Kvaratskhelia nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen kundër Veronës.
“Do të humbasim një lojtar të rëndësishëm, por për momentin le të fokusohemi te Verona.”
Galeno, një kandidat për të zëvendësuar Kvaratskhelia-n
Sipas raportimeve, Napoli ka identifikuar Galeno-n e Portos si një kandidat për të zëvendësuar Kvaratskhelia-n. 27-vjeçari brazilian ka impresionuar këtë sezon me 12 gola dhe 3 asistime në 26 paraqitje në të gjitha kompeticionet.
Sky Italia, përmes Gianluca Di Marzio-s, raportoi se Napoli po “vlerëson” situatën e Galeno-s. Sipas Transfermarkt, vlera e lojtarit është rreth 27 milionë euro dhe kontrata e tij me Porton skadon në verën e vitit 2028.
Tifozët e Arsenalit mund ta kujtojnë golin spektakolar të Galeno-s që i dha Portos në një fitore dramatike 1-0 në ndeshjen e parë të 1/8-ën e finales së Ligës së Kampionëve në shkurt 2024.
Nuk është ende e qartë nëse Porto do të jetë e gatshme ta shesë 27-vjeçarin gjatë merkatos së janarit. /GazetaExpress/
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...