Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se Prokuroria Speciale e ka hedhur poshtë kallëzimin penal të deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, ndaj saj.
Lidhja Demokratike e Kosovës kishte dorëzuar kallëzime penale ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave të qeverisë derisa ata ishin në detyrë në maj të vitit të kaluar, duke i akuzuar për shkelje të Ligjit për Qeverinë meqenëse pas zgjedhjes deputetë kanë ushtruar edhe pozitat ekzekutive.
“Mirëpres vendimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e cila ka hedhur poshtë kallëzimin penal të deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, në lidhje me pretendimet e saj se pas certifikimit tim si deputete më 27.03.2025, në pozitën e ministres së Arsimit kam vazhduar të marr vendime ekzekutive, në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë. Prokuroria ka konstatuar se nuk ekziston dyshim i arsyeshëm se kam kryer ndonjë vepër penale. Sipas vendimit të Prokurorisë, në këtë rast mungojnë provat materiale dhe juridike që do të krijonin dyshim të arsyeshëm për kryerjen e një vepre penale, ndërsa çështja paraqet natyrë administrative”, ka shkruar Nagavci.
Ajo publikoi edhe një pjesë të vendimit nga Prokuroria.
“Pagat janë realizuar vetëm nga pozita e ministrit dhe jo e deputetit, nuk ka pasur përfitime të dyfishta dhe nuk është evidentuar asnjë përfitim i kundërligjshëm personal për të dyshuarën. Vendimet e nxjerra janë të natyrës administrative dhe nuk prekin në mënyrë të paligjshme të drejtën e askujt. Nuk evidentohet asnjë dëm material apo juridik ndaj institucioneve apo palëve të treta. Gjatë veprimeve hetimore nuk është vërtetuar se e dyshuara ka vepruar me qëllimin e domosdoshëm të kërkuar nga neni 414 i KPRK-së, nuk është provuar shkaktim dëmi dhe nuk është vërtetuar asnjë përfitim i kundërligjshëm apo ndonjë formë tjetër e interesit personal”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Prokurorisë.
Nagavci tha se vendimi i Prokurorisë “konfirmon edhe një herë se veprimet e mia kanë qenë në përputhje me ligjin dhe në shërbim të institucioneve dhe qytetarëve”.
“Mbetem e përkushtuar për të ushtruar detyrat publike me përgjegjësi të plotë, transparencë dhe respekt të plotë ndaj ligjit”, tha ajo./Express/