Ish-ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci foli për “sfida” dhe punë “pa u ndalur” pasi e la zyren e saj në këtë dikaster për ministrin e ri, Hajrulla Çeku.
Ajo shkroi në Facebook për “5 vite përkushtim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit”.
“Në përmbyllje të mandatit tim si ministre e MASHTI-t, ndiej mirënjohje të thellë dhe shpreh falënderimin tim të sinqertë për ekipin tim të jashtëzakonshëm, i cili me përkushtim, profesionalizëm dhe integritet dha maksimumin gjatë këtyre pesë viteve shërbimi. Së bashku kemi përballuar sfida, kemi marrë vendime të rëndësishme dhe kemi punuar pa u ndalur për ta çuar përpara arsimin, shkencën, teknologjinë dhe inovacionin në vendin tonë. Çdo arritje mban vulën e punës sonë të përbashkët, të përkushtimit dhe të besimit që kemi ndërtuar ndër vite”, shkroi ajo.
Më pas i renditi emrat e zëvendësministrave, këshilltarëve dhe të stafit mbështetës, të cilët i falënderoi.
“Faleminderit për besimin, përkushtimin dhe punën e palodhur. Rrugëtimi ynë nuk përfundon këtu ai vazhdon me përvojën, arritjet dhe vlerat që kemi ndërtuar së bashku”.