“Na thoni nëse Rama ka pakt me Metën” Debate mes socialistëve për kandidaturën e Presidentit në KLSH - Gazeta Express
string(98) "na-thoni-nese-rama-ka-pakt-me-meten-debate-mes-socialisteve-per-kandidaturen-e-presidentit-ne-klsh"

“Na thoni nëse Rama ka pakt me Metën” Debate mes socialistëve për kandidaturën e Presidentit në KLSH

Gazeta Express

26/06/2020 17:20

Kandidatura e Presidentit Meta për kreun e KLSH-së, Arben Shehu, ka nxitur diskutime dhe debate në Grupin Parlamentar Socialist, të mbledhur dje pas shumë kohësh për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Për afro 2 orë, deputetët socialistë kanë kundërshtuar këtë kandidaturë si të papërshtatshme profesionalisht, ndërsa është kërkuar votë unanime nga një qasje politike, për t’i dhënë fund ngërçit me institucionin e Presidentit për drejtimin e KLSH-së. Në fund të mbledhjes, Bashkim Fino, Spartak Braho dhe Erion Braçe kanë votuar kundër kësaj kandidature, edhe pse është kërkuar mbështetje unanime. Arben Shehu do të votohet në seancën e ardhshme.

Lexo Edhe:

Bashkim Fino: Nuk e kuptoj si mund të votojmë një kandidaturë të tillë, i cili edhe nga ana e procedurës formale nuk ka qenë në 10 kandidaturat që kanë aplikuar pranë Presidentit të Republikës. Nuk e kuptoj si mund të pranojmë një kandidaturë me një profil kaq të ulët profesional. Por mbi të gjitha nuk na thuhet që për arsye politike ne duhet ta miratojmë këtë kandidaturë.

Spartak Braho: Mënyra sesi na serviret një kandidaturë e tillë për t’u votuar 2 orë para seancës ku duhet të votohet, nuk më duket normale, madje më krijon dyshime, të cilat duhet t’i ndaj dhe me grupin e deputetëve socialistë. Dhe në këtë aspekt, dua të pyes, a kemi të bëjmë me ndonjë kompromis ne si PS me Ilir Metën?! Nuk ka ndonjë gjë të keqe nëse ka kompromis, por, nëse ka, e mira është që grupi i deputetëve të informohet për të qenë më të qartë mbi arsyet pse po e votojmë këtë kandidaturë që nuk plotëson shumë kritere. Ne jemi mësuar të shohim në krye të këtij institucioni njerëz të mençur dhe profesionistë të fushës si Mustafa Kërçuku, Robert Çeku, por dhe Bujar Leskaj. Nga këto nivele, nuk mund të biem në këta anonimë që na vijnë si për t’u tallur me institucionin e Kuvendit, por dhe të KLSH-së.

Erion Braçe: Kandidatura që na është sjellë për të drejtuar institucionin më të rëndësishëm të kontrollit financiar të institucioneve shtetërore është një profil shumë i ulët profesional dhe pa një profil të spikatur ekonomisti. E vetmja lidhje që ai ka pasur me ekonominë, është se ka përfaqësuar disa kompani në gjyqe si avokat. Por kandidati ka profil të theksuar politik, pasi ka qenë pjesëmarrës në protestat e Monikës. Ndërsa ajo që nuk e nderon, për mendimin tim këtë kandidaturë, është avokatia që i ka bërë vrasësit të dy policëve. Prandaj them se edhe nga një qasje politike, një kandidaturë e tillë nuk mund të gjejë mbështetjen e kësaj maxhorance, e cila ka rrëzuar kandidaturat e kaluara që ishin shumë më lart se njeriu i fundit që Ilir Meta na ka sjellë.

Ulsi Manja: Mbështes vendimin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave për këtë kandidaturë. Kuptohet se për këtë duhet të kemi një qasje politike, sepse ne nuk duhet të lejojmë që Kontrolli i Lartë i Shtetit të drejtohet nga nënkryetari, sepse kjo nuk është ligjore. Nëse do lejojmë që KLSH të drejtohet nga nënkryetari, atëherë hajde të miratojmë ndryshimet ligjore që duhen bërë, të cilat prekin Kushtetutën.

Bujar Çela: E kuptoj shumë mirë sikletin që na ka zënë me këtë kandidaturë. Por udhëheqja di më shumë dhe ne duhet ta mbështesim. Unë shoh që ka debat dhe diskutime në grup, sepse ne kemi disa muaj pa u mbledhur për shkak edhe të Covid-19 dhe ka pasur energji të pashprehura. Nëse miratimi i kësaj kandidature vjen nga një ujdi e re me Presidentin e Republikës, atëherë do të duhet që të tërhiqen 54 firmat e deputetëve që kërkuan ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta dhe t’i japim këto 54 firma për mandatin e dytë të tij në 2022.

Arben Ahmetaj: Nuk është kandidatura e spikatur për të drejtuar KLSH-në, por mendoj se duhet ta gjykojmë politikisht, për t’i dhënë një zgjidhje ngërçit të krijuar me institucionin e Presidentit, që të mos lemë hapësirë të gjykohemi si bllokues të institucioneve të vendit.

Taulant Balla: Kjo është kandidatura e katërt që Presidenti i ka dërguar Kuvendit për kreun e KLSH-së. Duhet t’i japim fund këtij ngërçi për të mos marrë ne peshën e gjykimit të opinionit të brendshëm dhe të jashtëm për bllokim të institucionit të KLSH-së. Por edhe për një arsye tjetër. Ne nuk mund ta lëmë Bujar Leskajn që pas dy vitesh që i ka mbaruar mandati, paradite të drejtojë KLSH-në dhe pasdite të bëjë fushatë për kryetar bashkie në Vlorë./panorama