“Na lanë pa Kosovën, por unë nuk do ta njoh” – Vuçiq përplaset me të kaluarën dhe Perëndimin - Gazeta Express
string(87) "na-lane-pa-kosoven-por-une-nuk-do-ta-njoh-vuciq-perplaset-me-te-kaluaren-dhe-perendimin"

Lajme

Gazeta Express

07/08/2025 6:50

“Na lanë pa Kosovën, por unë nuk do ta njoh” – Vuçiq përplaset me të kaluarën dhe Perëndimin

Lajme

Gazeta Express

07/08/2025 6:50

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar kategorikisht pretendimet e disa diplomatëve dhe analistëve se ai po e ofron Serbinë për anëtarësim në NATO me qëllim që të sigurojë mbështetje për të qëndruar në pushtet.

“Nuk e përmendi askush NATO-n. As Emmanuel Macron, as Giorgia Meloni – askush prej nesh nuk e përmendi NATO-n”, deklaroi Vuçiq, duke shtuar se Serbia është dhe do të mbetet një vend ushtarakisht neutral.

“Unë nuk e kam kërkuar dhe askush nuk më ka kërkuar që Serbia të bëhet anëtare e NATO-s. Ideja ime është neutraliteti ushtarak. E kam forcuar ushtrinë në mënyrë që ajo të jetë ushtri neutrale”, tha ai.

Presidenti serb theksoi se që nga viti 2015 është përballur me akuza të vazhdueshme se po e drejtonte Serbinë drejt NATO-s, por sipas tij, “asgjë nga këto nuk ka ndodhur”.

Vuçiq shtoi se Serbia ka marrë një vendim nëpërmjet Këshillit të Sigurisë Kombëtare lidhur me pozicionin ndaj Rusisë dhe se e ka respektuar atë vendim për tri vjet e gjysmë.

Ai gjithashtu akuzoi protestuesit kundër qeverisë së tij si “shërbëtorë të një revolucioni me ngjyra”, duke pretenduar se ai po përballet me presion për shkak të qëndrimeve të tij kundër NATO-s, në mbrojtje të Kosovës dhe të Republikës Srpska.

“Jam i ekspozuar ndaj revolucionit me ngjyra sepse nuk më intereson fare. Nuk do ta njoh Kosovën, pavarësisht faktit se na lanë pa Kosovën dhe pa Malin e Zi”, tha Vuçiq, duke fajësuar për këtë qeveritë e mëparshme, shkruan Danas, transmeton Telegrafi.