Na duhen qeveritarë normalë - Gazeta Express
string(27) "na-duhen-qeveritare-normale"

Na duhen qeveritarë normalë

Gazeta Express

07/02/2020 11:22

Qytetarët kanë nevojë të qeverisen nga njerëz që janë në shërbim të tyre, e jo të atillë që pushtetin e shohin mundësi për përfitim e pasurim. Na duhen qeveritarë që e respektojnë ligjin, që nuk janë arrogantë e mujsharë. Na duhen njerëz të përgjegjshëm. Thjesht, na duhen qeveritarë normalë, që e kryejnë si duhet punën e vet.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Ministra që rrahin gazetarë, që gjuajnë me armë, që vazhdimisht rrinë nëpër salla gjykatash, si të akuzuar për korrupsion e shpërdorim detyre. Kryeministra e ministra që punësojnë nëpër institucione publike të afërm e familjarë, militantë e dosta, që ia rritin vetes e të vetëve pagat, që shpenzojnë miliona në dreka e darka, udhëtime e shopingje. Zëvendësministra që keqpërdorin pozitat e veturat zyrtare. Për më tepër, plot nga ta analfabetë funksionalë, që nuk dinë të shkruajnë pa gabime një status në Facebook, e lëre më një raport pune. Plot nga ta jokompetentë, që qëllim kryësor e kanë akomodimin e vetes dhe të vetëve dhe zhvatjen e të mirave që ofrojnë pozitat shtetërore.

Pak a shumë kjo është fotografia e qeverisjeve të kaluara, që gati për dy dekada kanë dhënë shembuj të keq të menaxhimit të parasë publike dhe menaxhimit të shtetit. Tipa mujsharë e arrogantë, të cilët pushtetin e kanë parë si mundësi perfekte për pasurim e përfitime. Tipa që fuqinë politike, madje edhe në rastet e ndonjë këshilltari të rëndomtë, e kanë përdorur për të treguar se janë të rëndësishëm, se mund të bëjnë ç’të duan dhe s’ka ligj që i ndal.

Tipa të pangopur, që për akomodimin e njerëzve të caktuar kanë shtuar ministri, kanë shpikur poste koordinatorësh, e kanë rritur armatën e zëvendësministrave sa më s’ka dhe kanë shpërndarë para gjithandej, duke harxhuar madje edhe rezervat shtetërore.

Tipa që ndërhyjnë në punën e institucioneve e agjencive të pavarura, që ndërhyjnë në drejtësi, që shajnë e kërcënojnë prokurorë, që iu japin tendera të dyshimtë milionësh kompanive të të vetëve, tipa që përfitojnë miliona nga kompanitë publike duke ua dhënë qira enorme pronat e veta. Tipa që publikisht ofendojnë gratë. Tipa që janë përgjegjës për gjendjen në të cilën e kanë sjellë vendin, nga i cili dhjetëra-mijëra qytetarë duan të ikin një orë më parë.

* * *

Do të ishte e pafalshme, ofenduese që kryeministri e zëvendësit e tij, ministrat e zëvendësit e tyre të shfrytëzojnë të tilla praktika të paraardhësve të tyre për të qeverisur. Do të ishte katastrofale që të vazhdojë avazi i njëjtë, ndërkohë që janë në qeveri për shkak se janë zotuar se do të qeverisin ndryshe.

Është më se e nevojshme që të ndodhë një prerje e praktikave të tilla, në kuptimin e keqmenaxhimit dhe keqqeverisjes. Një prerje e qartë në mënyrën se si harxhohen paratë publike, se si të qenët në pushtet duhet konsideruar përgjegjësi e jo privilegj. Një prerje e qartë me arrogancën e mujshinë, pangopësinë e jokompetencën.

Qeveritarët e rinj nuk kanë nevojë të shpikin ujin e nxehtë – thjesht duhet të punojnë sipas ligjeve e rregulloreve në fuqi, duke mos keqpërdorur pozitat që mbajnë. Pritjet e qytetarëve janë të mëdha dhe zgjidhja e shumë problemeve trashëgim nga keqqeverisja e deritashme nuk mund të bëhet si me shkop magjik. Por më e rëndësishmja është që të mos dërgohen mesazhe të gabuara dhe të ndërmirren veprime po të tilla qysh në fillim.

Loja me fotografi e flamuj e kryeministrit dhe kryeparlamentares qysh në ditën e parë në pushtet ishte e kotë dhe aspak e nevojshme. Njerëzit kanë nevojë për punësim, zhvillim ekonomik, arsim e shëndetësi më të mirë, lëvizje të lirë e ambient të pastër, e jo për flamuj e fotografi. Energjia e harxhuar në gjëra koti do të duhej orientuar kah veprimet që përmirësojnë e lehtësojnë jetën e qytetarëve.

* * *

Qeverisjet e deritashme, sidomos ajo e kaluara, kishin degraduar aq keq, sa që kishin humbur kuptimin për çfarë ekzistonin. Qeverisë së re kjo do të duhej t’i shërbente si shembull i keq i menaxhimit të shtetit.

Ka pak ditë që e kanë marrë pushtetin, por është e rëndësishme se çfarë veprimesh bëjnë që në fillim. Është e rëndësishme që me veprimet e veta të tregojnë se e kanë seriozisht.

Mediat, shoqëria civile do t’i monitorojnë më shumë se të tjerët para tyre, sepse kanë dhënë zotime të mëdha e kanë thënë se janë parimorë, se janë ndryshe. Sa për opozitën, nëse vazhdon si e ka nisur, do ta ketë vështirë të bind qytetarët se po e kryen punën ashtu si duhet.

Është e udhës që qeverisë së re t’i jepet mundësia që të tregojë çfarë e si mundet në njëqindditëshin e parë. Por, absolutisht, nuk duhet të amnistohet nga asnjë veprim jo i duhur, nga asnjë përpjekje për degradim të qeverisjes. Sa shumë ka nevojë për njerëz normalë, që e kryejnë si duhet punën e vet.