N1 Sllovenia: Shteti slloven vendos sanksione ndaj Milorad Dodikut, i ndalon hyrjen në vend - Gazeta Express
string(89) "n1-sllovenia-shteti-slloven-vendos-sanksione-ndaj-milorad-dodikut-i-ndalon-hyrjen-ne-vend"

Lajme

Gazeta Express

11/09/2025 13:40

N1 Sllovenia: Shteti slloven vendos sanksione ndaj Milorad Dodikut, i ndalon hyrjen në vend

Lajme

Gazeta Express

11/09/2025 13:40

Qeveria e Sllovenisë ka miratuar sot vendimin për vendosjen e sanksioneve ndaj Milorad Dodikut, presidentit të SNSD-së dhe liderit të entitetit Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme për N1 Sllovenia.

Vendimi përfshin ndalimin e hyrjes së Dodikut në territorin e Sllovenisë dhe është marrë mbi bazën e materialeve të përgatitura nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Evropiane (MZEZ).

Arsyet: Separatizëm, minimi i institucioneve dhe pasuri me burim të dyshimtë

Sipas burimeve të N1, arsyet kryesore për vendosjen e sanksioneve janë veprimet e hapura separatistë të Dodikut, mosrespektimi i vendimeve të institucioneve shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe dyshimet se ai dhe anëtarët e familjes së tij zotërojnë pasuri të konsiderueshme në Slloveni, të fituara me kapital të dyshimtë.

Burime jozyrtare bëjnë të ditur se familja e Dodikut, përmes të afërmve dhe personave të lidhur me të, zotëron të paktën pesë prona në bregdetin slloven, përfshirë edhe një vilë luksoze në Portorož. Kjo vilë është regjistruar zyrtarisht në emër të Djorgje Djuriq, dhëndrit të djalit të Dodikut, Igor, i cili që nga viti i kaluar është në listën e sanksioneve të Departamentit Amerikan të Thesarit.

Sipas autoriteteve amerikane, Dodik ka abuzuar me pozitën e tij për të orientuar aktivitetet shtetërore drejt një rrjeti kompanish private nën kontrollin e tij dhe të familjes së tij.

Sllovenia bashkohet me aleatët ndërkombëtarë

Krahas Shteteve të Bashkuara, sanksione ndaj Dodikut dhe rrethit të tij të ngushtë tashmë kanë vendosur edhe Britania e Madhe, Gjermania, Austria, Polonia dhe Lituania. Vendimi i Sllovenisë shihet si një sinjal i qartë për aktorët e tjerë në Ballkanin Perëndimor se aktivitetet kriminale dhe kapitali me origjinë të dyshimtë nuk janë të mirëseardhura në territorin slloven.

Organet e sigurisë në Slloveni prej kohësh kanë paralajmëruar për rritjen e investimeve të dyshimta nga Republika Srpska dhe rajoni, kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve. Nuk përjashtohet mundësia që lista e sanksioneve të zgjerohet edhe për individë të tjerë të lidhur me Dodikun apo nga rajoni më i gjerë i Ballkanit.

Prapaskena politike dhe përplasjet brenda qeverisë sllovene

Sipas informacioneve të N1, brenda qeverisë sllovene janë zhvilluar debate për pasojat e mundshme ekonomike të vendimit. Ministri i Financave, Klemen Boshtjanciq, dhe ministri i Ekonomisë, Matjazh Han, kishin kërkuar sqarime shtesë përpara se të merrnin vendimin final.

Megjithatë, kryeministri Robert Golob dhe ministrja e Jashtme, Tanja Fajon, ishin mbështetës të fuqishëm të sanksioneve. Përfaqësuesit e partisë Socialdemokrate (SD) deklaruan gjithashtu se ministrat e tyre do ta mbështesnin pa asnjë hezitim ndalimin e hyrjes për Dodikun.

Në opinionin publik slloven janë përhapur spekulime se vonesa në marrjen e vendimit mund të ketë qenë e lidhur me ndikimin e kryetarit të Lubjanës, Zoran Jankovic, i njohur për marrëdhëniet miqësore me Dodikun dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq.