Hysen Muzliukaj, i cili për punën e bërë si drejtor i Kadastrit në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka qenë i dyshuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, është emëruar të premten nga Qeveria e Kosovës drejtor i përgjithshëm i Institutit të Kosovës për Administratë Publike.
Muzliukaj i pyetur për këtë çështje nuk ka pranuar të japë detaje në lidhje me emërimin e tij e as në lidhje me rastin të cilin ai dhe ish-nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, po hetohen nga Prokuroria Speciale.
“Ditëve në vazhdim merremi edhe me këtë temë. Ju i drejtoheni Gjykatës se ku është procesi. Unë prej ditës së parë ju kam thanë që nuk ka asgjë në atë proces, edhe mbetet ashtu”- ka deklaruar Muzliukaj për Kallxo.com kur u pyet në lidhje me emërimin e tij dhe nëse është ende nën hetime.
Por burime brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë thënë për KALLXO.com që Hysen Muzliukaj është nën hetime.
Muzliukaj ishte arrestuar në një aksion të policisë speciale në vitin 2023 për dyshime që lidheshin me korrupsion, sa kishte punuar në Komunën e Mitrovicës. Pas arrestimit, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e kishte liruar Muzliukajn nga detyra e këshilltarit.
Ndonëse ishte arrestuar, avokati i Muzliukajt kishte njoftuar për lirimin e klientit të tij një ditë pas.