Ish-kryeministri Isa Mustafa ka dalë në mbështetje të protestës së thirrur për nesër në Prishtinë për padrejtësitë që thuhet se po i bëhen vendit nga Gjykata Speciale në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se po të kishte shëndet, do të kishte dalë edhe ai nesër në protestë.
“Të nderuar miq, Është detyrë e gjithë neve të mbrojmë vlerat e luftës, dhe të mos lejojmë të rishkruhet historia me dëshmi të instrumenteve të pushtetit serb që ushtroi dhunë, represion dhe gjenocid në Kosovë”, shkroi Mustafa në një postim në Facebook.
Ai tha se “shteti i Kosovës është rezultat i rezistencës politike të drejtuar nga Presidenti Rugova dhe i luftës së UÇK-së. Është vlerë e përbashkët”.
“Ne kemi pasur besim në drejtësinë ndërkombëtare kur Kuvendi i Kosovës votoi themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë me ligje të Kosovës. Jam dëshmitar se këtë besim të plotë e kanë pasur edhe Presidenti Thaçi dhe Kryeparlamentari Veseli, me të cilët kam punuar asokohe. Gjykata u themelua me bindje se do të marrin dënimet e merituara njerëzit për të cilët faktohet se kanë kryer krime”, shkroi ai.
“Askujt s’do ti shkonte mendja se në vend të kësaj, bartësit kryesor të luftës për të mbrojtur pragun e shtëpisë, me rol kyç në Rambuje, në bisedat e Vjenës, në shpalljen e pavarësisë; në kundërvënien ndaj depërtimit me dhunë të një milion shqiptarëve nga Kosova, do të cilësoheshin si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Prandaj veteranët e luftës meritojnë solidarizim dhe përkrahje nga të gjithë për një kauzë të drejtë! Një kërkesë paqësore për drejtësi të mirëfilltë! Me Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin, kemi qenë kundërshtarë politik. Kemi garuar se kush e bënë Kosovën më mirë. Por, në këtë rast, sikur ta kisha shëndetin, me 7 gusht do të isha edhe unë në Shesh”, shtoi Mustafa.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në një proces të stërzgjatur dhe shumë të kritikuar gjyqësor.
Protesta në mbështetje të tyre dhe kundër Gjykatës Speciale do të mbahet të enjten (7 gusht) në orën 17:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.