Isa Mustafa flet pasi Osmani dha “instruksione” se si mund t’i marrë votat Konjufca: E shiti tradhtinë si vlerë - Gazeta Express
string(103) "mustafa-flet-pasi-osmani-dha-instruksione-se-si-mund-ti-marre-votat-konjufca-e-shiti-tradhtine-si-vlere"

Lajme

Gazeta Express

05/11/2025 18:25

Isa Mustafa flet pasi Osmani dha “instruksione” se si mund t’i marrë votat Konjufca: E shiti tradhtinë si vlerë

Lajme

Gazeta Express

05/11/2025 18:25

Pavarësisht se partitë ish-opozitare dhe parti të minoriteteve jo-serbe kanë deklaruar se nuk kanë votë për Vetëvendosjen, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka vendosur që të mandatojë, Glauk Kojufcën, si kandidat i dytë i VV-së për kryeministër. Kur është pyetur për gjasat që Konjufca të votohet në këto rrethana kur s’ka sinjale të partive politike për votë ndryshe, Osmani për të arsyetuar vendimin e saj, ka thënë se në histori ka pasur raste kur deputetët kanë votuar ndryshe nga qëndrimi i partisë, duke nisur me shembullin e saj kur kishte votuar në vitin 2014 kundër zgjedhjes së Isa Mustafës kryeministër, shkruan Gazeta Express.

Besnik Velija

Ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa, në një intervistë të shkurtër për Gazetën Express, ka thënë se kjo deklaratë e Osmanit i ka bërë përshtypje dhe e ka bërë të mendojë se si dikush mundohet ta shesë si vlerë demokratike tek të tjerët “një tradhti” ndaj partisë së vet.

Mustafa thotë se kjo deklaratë e Osmanit ishte ftesë për tradhti, meqë “përmes asaj rruge do të ndodhë vlerësimi dhe avancimi nga Lëvizja Vetëvendosje.”

Sipas tij, deklarata e Presidentes tregon “një nivel të mjerë” të saj.

“E dëgjova dhe më la përshtypje! Mendova, si munden njerëzit që tradhtitë e tyre ndaj partisë që i ka ngritur dhe i ka bërë deputet të mundohen ti shesin si vlera demokratike për të tjerët. Ajo thjesht tha, unë e kam tradhtuar partinë time, i kam tradhtuar njerëzit që më kanë përkrahur dhe më kanë besuar. Kështu jam bërë presidente. Veproni edhe ju kështu dhe do të vlerësoheni dhe avancoheni nga VV-ja. Thjeshtë tregoi dhe predikoi që tradhtitë dhe mosdëgjueshmëritë brenda subjekte tjera të shërbejnë si kritere mbizotëruese për nominim të kandidatit të dytë për kryeministër. Ky ishte niveli i mjerë i Presidentes”, ka thënë Isa Mustafa për Express.

Ish-kryeministri dhe ish-kreu i LDK-së tutje është shprehur se mbase nuk do t’ia zinte për të madhe Osmanit një deklaratë të tillë, nëse Qeveria Kurti që u formua mbi një “tradhti” të tillë, do t’i kishte shërbyer Kosovës për të mirë.

“Ndoshta s’do të ia kisha parë për të madhe, nëse “qeveria e shpresës” e cila zuri fill mbi këto sjellje  t’i kishte shërbyer Kosovës për të mirë. Në të kundërtën, e katandisën  vendin, e vunë nën sanksione ndërkombëtare, e shkelën Kushtetutën shumë herë, bllokuan shtyllën e drejtësisë dhe ushqyen korrupsionin”, ka thënë Mustafa.

Një deklaratë e tillë, që Mustafa e cilëson si krekosje, thotë se mund t’i adresohet vetëm “ndonjë mbeturine të mentalitetit të saj në LDK”.

“Krekosja se nuk e ka votuar kryetarin e partisë së saj ( ish partisë së saj) mund ti adresohet ndonjë mbeturine të mentalitetit të saj në LDK”, është shprehur ai.

Mustafa në fund ka thënë se vlerëson qëndrimin e LDK-së dhe besimin që deputetët po e tregojnë në raport me programin dhe vlerat të një partie që ka formuar shtetin e  Kosovës.

Sipas ish-kreut të LDK-së, përpjekjet për shkatërrim nga brenda të partive politike janë sulm ndaj vlerave të shtetit.

“Kosova do të ec përpara vetëm nëse zhvillohet jeta plurale duke u forcuar partitë politike, jeta demokratike dhe konkurrenca programore. Tendenca për shkatërrim nga brenda të subjekteve politike dhe konkurrencës demokratike është sulm ndaj vlerave të shtetit tonë”, ka përfunduar Mustafa.