Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka shpjeguar në seancën e Kuvendit arsyet pse partia e saj nuk ka mbështetur Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
Në fjalën e saj, Musliu ka qenë tejet kritike ndaj ministres në detyrë, duke e cilësuar si një figurë të papërshtatshme për të qenë në krye të Kuvendit.
“Ajo refuzohet sepse është përçarëse, është akuzuese dhe një grua pa mendim politik. Është gruaja më e indoktrinuar në skenën politike të Kosovës”, tha Musliu nga foltorja e Kuvendit.
Deputetja e PDK-së e kujtoi të kaluarën politike të Haxhiut, duke përmendur edhe incidentin me gaz lotsjellës në Kuvend, si dhe menaxhimin e çështjes së humbjes së mostrave në rastin e Astrit Deharit.
“Është gruaja që ka sulmuar Kuvendin dhe kolegët e saj me gaz lotsjellës. Është ministrja që nuk dha dorëheqje kur u humbën mostrat e rastit Dehari,” shtoi Musliu.