string(85) "musk-shkurton-veten-nga-qeveria-pas-zhgenjimit-me-planin-fiskal-te-trump-cfare-ndodhi"

Lajme

Gazeta Express

29/05/2025 11:15

Musk “shkurton” veten nga qeveria amerikane pas zhgënjimit me planin fiskal të Trump – çfarë ndodhi?

Lajme

Gazeta Express

29/05/2025 11:15

Pas një fushate intensive për “eficiencë qeveritare” ku presidenti amerikan Donald Trump dhe miliarderi Elon Musk në krye të DOGE arritën të reduktojnë afro 12% të fuqisë punëtore civile federale, Musk është larguar nga administrata Trump.

Lajmin e ka dhënë vetë Musk përmes platformës së tij X, duke falenderuar presidentin Donald Trump. Ndërsa, sipas burimeve të njohura me çështjen Reuters njofton se Musk nuk ka zhvilluar asnjë bisedë formale me Trump përpara se ta bënte publik vendimin për largim.

Edhe pse arsyet e largimit nuk janë bërë të qarta, vendimi i Musk erdhi vetëm një ditë pasi ai e kritikoi planin ekonomik të Trump, duke e cilësuar si tepër të kushtueshëm dhe kundër produktivitetit të misionit të tijë në DOGE (Departamentit për Eficiencë Qeveritare).

Të martën, ai kritikoi publikisht projektligjin e republikanëve për buxhetin dhe taksat në një intervistë për CBS News duke thënë: “U zhgënjeva nga kjo paketë masive shpenzimesh që rrit deficitin në vend që ta ulë – dhe që minon punën e ekipit të DOGE.”

Bëhet e ditur se komentet e Musk kundrejt Trump kanë zemëruar disa zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë zëvendësshefin e stafit Stephen Miller, ndërsa ishin thirrur edhe senatorë republikanë për t’u siguruar se presidenti vazhdonte mbështetjen për paketën fiskale të propozuar nga ai.

Kujtojmë se Musk fitoi ndikim shumë të madh brenda rrethit të Trump në një kohë shumë të shkurtër. Ku si fillim, në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) të mbajtur në shkurt, ai shfaqi një sharrë të kuqe metalike përballë turmës entuziaste, duke deklaruar: “Kjo është sharra për burokracinë!”

Ai poashtu kishte premtuar në fushatë zgjedhore se DOGE, do të kursente të paktën 2 trilionë dollarë nga shpenzimet federale. Ndërkohë, sipas vlerësimeve të DOGE deri më tani kanë arritur të kursehen rreth 175 miliardë dollarë – shifër e pakonfirmuar në mënyrë të pavarur nga mediat.

Musk poashtu nuk kishte fshehur asnjëherë qëndrimet e tij kundër administratës federale, por me kalimin e kohës, disa ministra nisën të kundërshtonin shkurtimet agresive të stafit të propozuara prej tij, sidomos pas ndërhyrjes së Trump në mars, kur deklaroi se vendimet për personelin mbeten në dorë të sekretarëve të departamenteve.

Dihet se Musk poashtu ka pasur përplasje me tre prej ministrave më të rëndësishëm të Trump – sekretarin e shtetit Marco Rubio, atë të transportit Sean Duffy dhe sekretarin e thesarit Scott Bessent. Ndërkohë, Musk ishte treguar shumë i ashpër edhe me këshilltarin e tregtisë Peter Navarro, duke e quajtur “idiot” dhe “më budalla se një thes me tulla.”

Sinjalet se Musk do të tërhiqej nga puna qeveritare për t’u fokusuar në bizneset e tij nisën që nga muaji prill, por tani ka dyshime për një krisje më të madhe mes tij dhe Trump.

Megjithatë, është bërë e ditur se DOGE do të vazhdojë pa Musk.

Reuters shkruan se administrata ka konfirmuar se misioni i DOGE për të reformuar dhe tkurrur qeverinë federale do të vazhdojë, ndërsa ministrat janë tashmë në diskutime me Shtëpinë e Bardhë për të ruajtur disa struktura të DOGE pa prishur balancat me republikanët në Kongres.

Dihet se deri më tani sipas një analize të Reuters, Trump dhe DOGE kanë arritur të reduktojnë afro 12% të fuqisë punëtore civile federale – rreth 260,000 punonjës – kryesisht përmes kërcënimeve për pushime, pensione të parakohshme dhe blerje vullnetare të kontratave.

Megjithatë, DOGE është përballur edhe me pengesa: gjykatat federale kanë rikthyer disa agjenci që ishin mbyllur, ndërsa shkurtimet e personelit e fondeve kanë shkaktuar vonesa në prokurime, rritje kostosh dhe largim të talenteve shkencore dhe teknologjike.

Musk, personi më i pasur në botë, ka mbrojtur rolin e tij si zyrtaR me fuqi të jashtëzakonshme, të dhëna nga vetë Trump, për të shpërbërë pjesë të administratës amerikane. Ai poashtu ka shpenzuar afro 300 milionë dollarë për të mbështetur fushatën e Trump dhe republikanët vitin e kaluar, megjithatë më pas njoftoi se do ta reduktojë ndjeshëm financimin politik.

Në një forum të mbajtur në Katar, Musk u shpreh më fjalët: “Nuk ka më nevojë – kam bërë mjaft.”