Kapiteni i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi u shfaq tejet i dëshpëruar pas humbjes së “Dardanëve” nga Turqia, në finalen e “play-offit” të Botërorit.
Turqia fitoi 1-0, teksa Muriqi pas ndeshjes nuk mundi t’i ndalë lotët.
Pas ndeshjes, për “RTK”, ai tha se është krenar me bashkëlojtarët e tij dhe që është kapiten i Kosovës.
Ai tha po ashtu se pas kësaj humbje, shfaq dhimbje dhe keqardhje ndaj shtetit dhe ekipit të tij.
“Me të vërtetë jemi munduar goxha. S’po më vijnë fjalët, po më dhimbset ekipi, po më dhimbset shteti, gjithë kjo përkrahje”, tha ai.
“Kemi luftuar prej ditës së parë deri këtu. Ia nisëm me humbje të thellë, por vazhduam me fitore, erdhëm deri këtu. Jam shumë krenar me bashkëlojtarët e mi, jam krenar me vetën që jam ndër kapitenët e Kosovës. Kisha pas qejf me udhëheq ekipin në Amerikë. Unë nuk e di a jam te Kosova më vonë, por me lojtarët e rinj, Kosova do të luajë në një kampionat të madh”, vazhdoi ai./GazetaExpress/