Ministri i Financave, Hekuran Murati i ka reaguar Bedri Hamzës, pasi ky i fundit ia përmendi raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Murati gjithashtu pati akuza ndaj Hamzës për udhëheqjen e ministrisë gjatë vitit 2018, raporton Ekonomia Online.
Murati në foltoren e Kuvendit tha se rritja ekonomike ka qenë për shkak të ngërzit politik në vendin 2025.
“Sa i përket raportit të FMN-së. I nderuar zotëri Hamza, po, është e vërtetë që vitin e kaluar rritja ekonomike është përllogaritur të jetë 3.6%.
Por kjo, edhe sipas raportit të konfirmuar, është për shkak të mosfunksionimit të plotë të institucioneve. Siç e dini, pra vitin e kaluar, gjatë gjithë vitit, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka qenë në funksion efektiv dhe ka pamundësuar shumë prej reformave, e madje edhe miratimin e shumë prej marrëveshjeve ndërkombëtare që do t’i jepnin impuls shtesë ekonomisë së vendit. Sa për krahasim, në vitin 2018 kur ju keni qenë ministër i Financave pa asnjë krizë, me parlament funksional, me qeveri funksionale rritja ekonomike ka qenë veç 3.4%. Pra, më e ulët sesa ne që e kemi pasur kur ka pasur kuvend jofunksional. Sa i përket pagave, u tha që nuk janë rritur. E pavërtetë gjithashtu. Pra, në sektorin publik pagat janë rritur 45%, duke mos llogaritur këtu edhe pagën e 13-të që sapo është dhënë. Ndërkaq paga minimale, nga niveli 170 euro që e kemi gjetur, aktualisht është 264 euro dhe në korrik të këtij viti bëhet 500 euro. Pra, trefishim gati i pagës minimale në sektorin privat“, tha Murati.