Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar rishikim të buxhetit për vitin 2026, por tha se kjo do të bëhet kur “i gjithë shteti është më komod” sa i përket çështjes së sigurisë së mjeteve financiare
Nevojën për rishikim të buxhetit, Murati e arsyetoi edhe me ndërrimin e drejtuesve nëpër dikastere.
Projektbuxheti për vitin 2026 në vlerë rreth 4 miliardë euro kaloi sot në Komisionin për Financa, Punë dhe Transfere, me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.
“Ka ndryshim edhe të drejtuesve të digastereve dhe po besoj që ata kanë nevojë që te ketë një rishikim dhe përshtatje të tabelave buxhetore. E kemi proceduar versionin fillestar që të mos jemi pa buxhet, e pastaj rishikimi të ndodhë në një situatë kur i gjithë shteti është më komod sa i përket çështjes së sigurisë së mjeteve financiare”, ka deklaruar Murati, gjatë mbledhjes së Komisionit.
Ndonëse mbrëmë u miratua vendimi për zgjatje buxhetore edhe për muajin mars, Murati theksoi rëndësinë që sa më parë të miratohet buxheti për vitin 2026.
“Është e nevojshme që të kemi edhe buxhetin sepse jo gjithçka, ta zëmë prokurimet apo obligimet e reja, nuk mund të bëhen përderisa s’ka buxhet të miratuar. Si Qeveri e re dhe si qeveri që do të ketë ndryshime në dikastere, ne presim që menjëherë pas miratimit, të fillojmë procesin e rishikimit sepse është e nevojshme”, tha Murati.
Përveç Projektbuxhetit, në këtë komision kaluan edhe pesë marrëveshjet ndërkombëtare.
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër” në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për zhvillim;
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-005 për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim për projektin “kompas” – qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë.
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-006 për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim (anzh) për projektin “edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”;
Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-004 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “instrumentin për reforma dhe rritje për ballkanin perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si huadhënës, dhe Kosovës si huamarrës dhe bankës qendrore të Kosovës si agjent i huamarrësit.