Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka alarmuar se 90 milionë euro që Banka Botërore i ka alokuar për Kosovën, mund t’i merren vendit dhe t’i jepen një shteti tjetër nëse nuk kjo nuk ratifikohet deri në shtator.
Ai ia la fajin partive tjera për moskonstituimin e Kuvendit, pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur ndonjë marrëveshje politike, siç kishte thënë, për ta zhbllokuar ngërçin politik.
“Janë 90 milionë euro të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat po presin ratifikimin nga Kuvendi që nga muaji maj i vitit të kaluar. Ky lloj financimi është i veçantë sepse ka kamatë 0%. Shumë shtete do të dëshironin të përfitonin nga një financim i tillë, por Kosova është ndër shtetet e rralla që ka përfituar falë reformave të ndërmarra dhe menaxhimit të mirë të financave publike. Partitë opozitare gjatë legjislaturës së kaluar kishin refuzuar të votonin ratifikimin, ndërsa tash po e pamundësojnë edhe konstituimin e legjislaturës së re duke mos marrë fare pjesë në votim, duke prolonguar kështu ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”, shkroi Murati.
“Por Banka Botërore e as bota nuk mund të na presin pafundësisht. Nëse marrëveshja për 90 milionë euro me kamatë 0% nuk ratifikohet deri në shtator, ekziston rreziku shumë i lartë që këto mjetet t’i merren Kosovës dhe ti jepen një shteti tjetër”, shtoi ai.
Murati thotë se “është jetike që opozita të reflektojë dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit, e pastaj edhe të votojë këtë marrëveshje”.
“Inatet politike nuk do të duhej t’i kushtonin shtetit tonë”, shkroi ai.