Ministri në detyrë i Financave dhe deputeti Hekuran Murati, ka vazhduar të akuzojë Lidhjen Demokratike të Kosovës se po e bllokon miratimin e buxhetit për tri komuna, përfshirë Prishtinën. Sipas tij, tashmë Kuvendi është konstituar, derisa LDK që ankohej, s’po pranon të miratojë buxhetin.
“Çka mund t’i thuhet këtij veprimi të LDK-së? Kush qenka bllokuesi i buxhetit?”, ka shkruar Murati.
Shefja e deputetëve të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar dhe e ka quajtur Muratin si minisër i propagandës së Albin Kurtit, duke ka akuzuar Muratin se e ka bllokuar buxhetin e Prishtinës për 46 ditë.
Bajrami ka publikuar një dokument, që tregon se Komuna e Prishtinës ia kishte dërguar Muratit miratimin e Buxhetit me datë 17 dhjetor, derisa Murati e ka përcjellë tek Kuvendi vetëm pas një muaj e gjysmë, më 31 janar 2025.
Bajrami ka shkruar se Konjufca si kryetar Kuvendi ka mundur të thërras një seancë për ta miratuar Buxhetin, por një gjë e tillë s’ka ndodhur, meqë ai i është dorëzuar nga Murati në kulmin e fushatës.
Postimi i plotë:
ME FAKTE:
Hekuran Murati 46 ditë e ka mbajtur buxhetin e Prishtinës në sirtar e nuk e ka përcjellë për aprovim për Kuvend.
Ministri propagandës i Albin Kurtit duke parë që humbjen në Prishtinë e kanë të paevitueshme që disa ditë po nxjerrë lot krokodili për buxhetin e komunës së Prishtinës dhe pagat e ndërmarrjeve publike në Prishtinë.
Të nderuar qytetarë, populli thotë “Zoti nuk rrëhet”
Kuvendi Komunal i Prishtinës e ka kaluar buxhetin e Prishtinës me datë 9.12.2024.
Komuna e Prishtinës e ka përcjellë buxhetin në Ministrinë e Financave me datë 17.12.2024, shih shkresën e protokollit.
Hekuran Murati e ka mbajtur buxhetin e Prishtinës plotë 46 ditë në sirtar dhe a e dini kur e ka përcjellë në Kuvend të Kosovës, e ka përcjellë me 31.01.2025, shiheni shkresën që ai ka postuar vetë.
Dmth. Hekurani buxhetin e Prishtinës e ka përcjellë në Kuvend në kulmin e fushatës zgjedhore me 31 janar dhe normalisht Glauk Konjufca si kryetar as që është marrë me këtë punë, sepse ai është dashur të thërrasë mbledhje të Kryesisë, e të caktojë seancë dhe ta kalojmë buxhetin e komunës së Prishtinës para një viti, por jo këto nuk kanë ndodhur. Tani akuzat e propaganduesit janë se LDK-ja po e bllokon kuvendin dhe s’po e kalon buxhetin e komunës së Prishtinës.
E qysh kalohet buxheti pa u formu komisionet parlamentare?
E qysh formohen komisionet parlamentare pa u ditur se kush është pozita dhe kush është opozita?
Tregoju qytetarëve pse e ke mbajtur në sirtar buxhetin e komunës së Prishtinës 46 ditë dhe nuk e ke sjellë në Kuvend atëherë kur Kuvendi ka qenë funksional dhe i ka pasur krejt trupat funksional.
Qytetarët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike do të tregojnë të dielën se kush është bllokuesi në Prishtinë.
Mjaft, propagandove!
Liroje buxhetin e RTK-së, siç e bëre para tre muajve ose siç është vepruar më 2021, sepse derisa ti po mashtron në fcb. disa familje bukën në market janë t’u e marrë veresi.