Marcus Rashford nuk do të vazhdojë te Manchester United.
Kjo konfirmohet nga mediat britanike, të cilat e cilësojnë largimin e afërt të sulmuesit anglez si një nga lëvizjet kyçe në planin e klubit nga “Old Trafford” për merkaton e ardhshme verore.
Në moshën 27-vjeçare, përfaqësuesi i Anglisë ka humbur rëndësinë në planet e trajnerit Ruben Amorim, dhe largimi i tij shihet si thelbësor për të liruar fondet për pagat dhe për të gjeneruar të ardhura që do të shfrytëzohen për afrime të reja.
Eliminimi në finalen e Europa League ndaj Tottenham ka vulosur një sezon të dobët për “Djajtë e Kuq”, dhe tashmë po përgatitet një revolucion i thellë.
Në këtë kontekst, shitja e Rashford për një shumë rreth 47.5 milionë euro do të hapte rrugën për përforcime të reja, sipas asaj që shkruan “Mundo Deportivo”. Sulmuesi, i cili nuk ka bindur gjatë periudhës së fundit te Aston Villa, ku është huazuar që nga janari, nuk është më pjesë e planeve të së ardhmes së klubit.
Së bashku me të, pritet të largohen edhe emra si Jadon Sancho dhe Antony. Sa i përket Rashford, e ardhmja e tij mund të jetë te Camp Nou. Sipas raportimeve të fundit, ai është i entuziazmuar nga ideja për të luajtur me FC Barcelona dhe i është drejtuar agjentit Pini Zahavi, i cili ka lidhje të forta me presidentin Joan Laporta, për të ndihmuar në realizimin e këtij transferimi./GazetaExpress/