Mungesa e nënshkrimit dhe maskimi i Asociacionit – çka u arrit me marrëveshjen në Ohër - Gazeta Express
string(84) "mungesa-e-nenshkrimit-dhe-maskimi-i-asociacionit-cka-u-arrit-me-marreveshjen-ne-oher"

Mungesa e nënshkrimit dhe maskimi i Asociacionit – çka u arrit me marrëveshjen në Ohër

Lajme

Albioneta Ademi

20/03/2023 18:25

Marrëveshja e Ohrit, pa nënshkrim dhe me disa pika zotimi, nuk ka qartësuar gjithçka mes Kosovës dhe Serbisë. Dy pikëpyetjet më të mëdha janë se, në radhë të parë, a mund të konsiderohet kjo një marrëveshje ndërkombëtare, pasi Kosova dhe Serbia nuk e kanë nënshkruar atë. Dhe, e dyta, çka i bie “vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë”, të cilin Kryeministri Kurti u zotua se do ta mundësojë.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Dymbëdhjetë orë negociata në Ohër dhe një dekadë e mëhershme e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë janë kurorëzuar të shtunën me një dokument të panënshkruar, që Bashkimi Evropian e ka quajtur Aneks të marrëveshjes që nis rrugën për normalizimin e raporteve mes dy shteteve. Destinacioni final i kësaj rruge, siç është thënë më herët nga ndërmjetësit evropianë, është pajtimi i plotë mes Kosovës dhe Serbisë, që përmbyllet me anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian. Fundi i kësaj marrëveshje, për SHBA-në, është njohja reciproke. 

Dy çështjet në të cilat janë fokusuar deklaratat pas bisedimeve në Ohër janë mungesa e nënshkrimit të marrëveshjes, për shkak të refuzimit të Vuçiqit dhe zotimi për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë. Kjo e vetëmenaxhimit është përkthyer sikur Kurti e ka pranuar formimin e Asociacionit, të cilin e ka kundërshtuar rreth 10 vjet.

Publicisti Agon Maliqi thotë se këto dy çështje janë “fitoret” e shënuara nga Kryeministri Kurti dhe nga Presidenti Vuçiq. Sipas tij, Kurti e grimoi Asociacionin, refuzimin e së cilit e kishte kauzë për një dekadë, ndërsa Vuciq e vazhdoi narracionin e “mosdorëzimit”.

“Kurti e fitoi ndryshimin kozmetik (grimin) mbi Asociacionin, të cilin si përmbajtje ashtu kështu e kishte arritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Vuçiq e fitoi mungesën e nënshkrimit si narracion të “mos dorëzimit historik” para popullit serb, për ta vazhduar shitjen e iluzioneve dhe mbajtur peng rajonin”, ka shkruar Maliqi në Facebook.

Perëndimi, në këtë rast, sipas Maliqit “fitoi lajmin se po bën diçka”. 

Mungesa e nënshkrimit

Presidenti i Serbisë ka refuzuar që më 27 shkurt ta nënshkruajë propozimin evropian për normalizimin evropian, të cilin e ka pranuar edhe ai, edhe Kurti, si marrëveshje bazë. Më 18 mars, në Ohër, palët janë pajtuar rreth Planit të Zbatimit të asaj marrëveshjeje, por Vuciq sërish ka refuzuar të hedhë nënshkrimin e tij. Arsyeja e tij: “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova nuk është”.

Kryeministri Kurti ndërkaq thotë të ketë insistuar në dy takimet që të nënshkruhen dokumentet për të cilat janë pajtuar. Ai thotë se është në dorën e Bashkimit Evropian që ta gjejnë një mënyra që ta bëjmë marrëveshjen të obligueshme ligjërisht dhe ndërkombëtarisht.

“Ne tani kemi arritur një marrëveshje për zbatimin e ankesit të Marrëvëshjes Bazë. Serbia – sikurse në takimin e fundit në Bruksel – e ka evituar nënshkrimin e Marrëveshjes dhe tani edhe të Aneksit. I takon BE-së që ta gjejë një mekanizëm për ta bërë këtë marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme“, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndërkaq, ndërkombëtarët që s’arritën ta bindin Vuçiqin të nënshkruajë, thonë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, edhe pa nënshkrim.

Gjatë një diskutimi virtual me gazetarë, emisari amerikan, Gabriel Escobar ka thënë sot se pajtimi i arritur më 18 mars është marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe është ligjërisht i obligueshwm, që do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.

Ai tha se fokusimi te nënshkrimi është i parëndësishëm, pasi sipas tij, kjo është marrëveshje dhe shihet si e tillë nga BE-ja.

“Vetëmenaxhimi”

Në një nga pikat e tekstit që u publikua pas arritjes së marrëveshjes thuhet se, “Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së”.

Kryeministri Kurti ka thënë se se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Edhe më tutje, pushtetarët aktualë që e kanë kundërshtuar formimin e Asociacionit dhe kanë mohuar se do ta themelojnë atë ndonjëherë, nuk duan që kjo të konsiderohet Asociacion dhe as të merret si sinonim i “vetëqeverisjes”.

Opozita nuk ka pikë dyshimi se me zotimin për një “nivel vetëmenaxhimi për komunitetin serb”, Kryeministri Kurti ka pranuar formimin e Asociacionit dhe dhënies së një autonomie kësaj pakice.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se marrëveshja e arritur në Ohër është e përqëndruar në një Asociacion të avancuar dhe autonomi për komunitetin serb të Kosovës.

“Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë”.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thotë se u zhbë një kauzë “e rreme” politike e Kurtit dhe përvec kësaj, Kosova përfundoi me një marrëveshja pa njohje dhe me zotimin për ta formuar Asociacionin.

“Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më”, thuhej në reagimin e Abdixhikut menjëherë pas arritjes së marrëveshjes.

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, ka thënë për REL-in se në praktikën e mbrojtjes së pakicave dhe në praktikën e së drejtës publike ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për pakica dhe komunitete lokale, ekziston termi “vetëmenaxhim” (në anglisht: self-management) dhe vetadministrim (në anglisht: self-administration). Sipas tij, në esencë, në gjuhën serbe këto përkthehen si “vetëqeverisje”.

Marrëveshja e arritur pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Kryediplomati evropian, është thënë se ka qenë edhe më e detajuar, por për shkak të mospajtimeve nga palët, ajo ka arritur në versionin final, të cilin e ka publikuar Bashkimi Evropian.

“Kjo ishte, në njërën anë për shkak të, mendoj se njëra palë, Kosova kishte mungesë të fleksibilitetit për këtë çështje, dhe në anën tjetër sepse Serbia paraprakisht deklaroi se nuk do të nënshkruante edhe pse ne jemi plotësisht të gatshëm ta zbatojmë”, ka thënë Borrell.

Sot, ai ka thënë se blloku evropian do të marrë vendim për zbatimin e marrëveshjes dhe aneksit dhe t’i bëjë pjesë përbërëse të kornizës negociuese të BE-së për negociatat e anëtarësimit me Serbinë. Ndërsa për Kosovën, zbatimin do të jetë pjesë e Komisionit për normalizim.

Aneksi i zbatimit të marrëveshjes, i pranuar në Ohër:

-Aneksi është një pjesë integrale e Marrëveshjes.

-Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse – që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi – në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

-Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi.

-Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

-Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.

-Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.

-Për të zbatuar Nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

-Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

-Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon rendin e zbatimit të tyre.

-Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos e bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

-Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.