Shkruan Arben Malaj
Në muret e historisë së filozofisë, pak thënie godasin me forcën e thjeshtësisë sa ajo e Perandorit Stoik, Marcus Aurelius: “Mund të bësh padrejtësi edhe duke mos bërë asgjë”. Kjo fjali mbetet radiografia më e saktë e “patologjisë së indiferencës”, që po gërryen shoqëritë moderne. Ajo na zhvesh nga iluzioni i rehatshëm se mjafton të mos bësh keq për të qenë njeri i drejtë. Aureliusi na mëson se integriteti nuk është një gjendje statike apo një medalje që mbahet në sirtar, por një akt i vazhdueshëm angazhimi dhe një zgjedhje aktive përballë çdo sfide etike.
Ndryshe nga kuraja fizike, e cila shpesh buron nga instinkti i mbijetesës ose adrenalina e momentit, kuraja morale kërkon një reflektim të gjatë mbi vlerat. Sot, motoja “shih punën tënde” është shndërruar në një mburojë toksike pas së cilës fshihet bashkëfajësia jonë kolektive ndaj korrupsionit dhe pabarazisë. Ajo kthehet në një turmë individësh të izoluar që, në vetminë e tyre egoiste, presin radhën për t’u sakrifikuar nga mekanizmat e padrejtësisë.
Pastori gjerman Martin Niemöller, duke reflektuar mbi tmerret e Luftës së Dytë Botërore dhe heshtjen e kishës e të shoqërisë civile, la pas një paralajmërim që sot kumbon më fort se kurrë: “Kur erdhën për komunistët, nuk fola, sepse nuk isha komunist. Kur erdhën për socialistët, nuk fola, sepse nuk isha socialist. Kur erdhën për sindikalistët, nuk fola, sepse nuk isha sindikalist. Kur erdhën për mua, nuk kishte mbetur më askush që të fliste për mua”. Mungesa e kurajës morale është lënda djegëse e autokracive të reja. N ë shumë vende me demokraci hibride, ku kultura shtetformuese është ende e brishtë, po shohim lindjen e atyre që mund t’i quajmë “mbretëritë kryeministrore”. Këta udhëheqës nuk bazohen vetëm te forca e aparatit shtetëror, por te heshtja e blerë e elitave, asfiksia e mendimit kritik dhe apatia e popullit. Kur një popull humbet kurajën morale për të kërkuar llogari për çdo qindarkë publike apo për çdo shkelje të ligjit, ai praktikisht nënshkruan dorëzimin e sovranitetit të tij te një individ i vetëm.
Autokracia nuk instalohet me dhunë brenda një nate; ajo pikon si vaji në mekanizmat e shtetit përmes mijëra heshtjeve të vogla ditore dhe mijëra kompromiseve me moralin. Historia na ofron dritëhije të fuqishme që shërbejnë si busull për veprimet tona: (i) Sir Nicholas Winton: Një shembull i jashtëzakonshëm i kurajës së heshtur. Pa asnjë mandat zyrtar dhe duke rrezikuar gjithçka, ai organizoi shpëtimin e 669 fëmijëve (shumica çifutë) nga Çekosllovakia e pushtuar drejt Britanisë. Ajo që e bën historinë e tij edhe më mahnitëse është se ai e mbajti këtë akt të fshehtë për 50 vite, madje edhe nga bashkëshortja e tij, duke dëshmuar se integriteti nuk ka nevojë për propagandë, por për shpëtimin e jetës njerëzore. (ii) Rosa Parks: Në vitin 1955, një refuzim i thjeshtë për t’u lëshuar vendin në autobus udhëtarëve të bardhë ndryshoi rrjedhën e historisë së të drejtave civile.
Kuraja e saj morale dëshmoi se rezistenca ndaj një ligji të padrejtë është detyrë e çdo qytetari që kërkon dinjitet dhe (iii) Hugh Thompson Jr.: Gjatë masakrës së My Lai në Vietnam, ky pilot amerikan helikopteri, uli mjetin e tij mes ushtarëve amerikanë që po vrisnin civilë dhe vetë civilëve të pambrojtur. Ai urdhëroi ekuipazhin e tij të kthente armët kundër bashkëkombësve të tyre nëse ata vazhdonin masakrën. Thompson Jr. tregoi se besnikëria ndaj njerëzores qëndron mbi çdo urdhër ushtarak apo strukturë hierarkike. Në anën tjetër të medaljes, filozofja Hannah Arendt, përmes analizës së gjyqit të Adolf Eichmann, zbuloi atë që ajo e quajti “Banaliteti i së Keqes”. Eichmann nuk ishte një përbindësh mitologjik me brirë; ai ishte një njeri “normal”, një burokrat efikas që zgjodhi të mos mendonte, të mos pyeste dhe të mos kundërshtonte asnjë urdhër. Kjo është fytyra e vërtetë e dështimit moral: zyrtari i bindur që firmos shkatërrimin e jetëve, tjetërsimin e pronave publike apo tenderët e paracaktuar pa ndjerë asnjë përgjegjësi personale, thjesht sepse “kështu ishte urdhri”. Kur individi kthehet në një “vidë” të makinës burokratike që nuk mendon më, shoqëria ka hyrë në fazën më të rrezikshme të dekompozimit të saj.
Humbja e kurajës morale nuk është një dëm momental që kalon me një cikël zgjedhor; ajo lë pasoja që mund të duhen breza për t’u riparuar. Për Individin: Pasiviteti prodhon atë që psikologët e quajnë “disonancë kognitive”. Njeriu që hesht përballë padrejtësisë duhet të gënjejë vazhdimisht veten për të ruajtur imazhin e tij si “njeri i mirë”. Kjo “skizofreni morale” çon në humbjen e vetëvlerësimit dhe degradimin e personalitetit, duke e kthyer qytetarin në një qenie apatike që nuk beson më te asgjë. Për Kombin: Një komb pa kuraja morale është një komb që vuan nga varfëria kronike, pavarësisht burimeve natyrore. Varfëria më e rrezikshme nuk është ajo e xhepit, por varfëria shpirtërore. Kur intelektualët, ekonomistët dhe profesionistët heshtin përpara vjedhjes së pasurive publike, ata bëhen bashkëfajtorë në mjerimin e bashkëqytetarëve të tyre.
Në sisteme ku integriteti është “i tregtueshëm”, meritokracia vdes dhe kapitali njerëzor—truri i kombit—largohet drejt vendeve ku dinjiteti vlerësohet. Rezultati është një shtet “hibrid” që lëngon mes varfërisë ekonomike dhe lirisë së kufizuar. Zgjidhja për këtë krizë nuk vjen thjesht nga ndryshimi i ligjeve, por nga forcimi i karakterit. Ne kemi nevojë për një “Rilindje Morale” që fillon që në bankat e shkollës. Kuraja morale duhet të mësohet dhe të kultivohet po aq sa matematika apo gjuha. Ne duhet t’u mësojmë të rinjve se suksesi pa integritet është thjesht një dështim i maskuar. Një udhëheqës i mirë nuk është ai që grumbullon pushtet absolut, por ai që ka fuqinë dhe etikën të thotë “Jo” kur parimet cenohen. “Denoncuesit e integritetit/whistleblower, nuk duhet të shihen si tradhtarë, por si heronj të kohës sonë dhe rojet e fundit të demokracisë. Mendimtarët e mëdhenj na kanë lënë porosi të qarta për sfidën e kurajës morale: (i) Dante Alighieri: Na paralajmëron se “Vendet më të nxehta në ferr janë rezervuar për ata që qëndrojnë neutralë në kohë krizash morale”: (ii) Martin Luther King Jr.: “Në fund, ne nuk do të kujtojmë fjalët e armiqve tanë, por heshtjen e miqve tanë.” dhe (iii) Edmund Burke: “E vetmja gjë që i duhet triumfit të së keqes është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë.” Dinjiteti i një kombi nuk matet nga pasuria që grumbullon, por nga parimet që mbron kur ato janë në rrezik. Edukimi me kurajën morale nuk është një luks akademik; është i vetmi mjet mbijetese që kemi për të ndërtuar një shoqëri ku liria nuk është thjesht një fjalë e vdekur në kushtetutë, por një frymë që duhet të mbi jetoi në ndërgjegjen dhe veprimet e çdo qytetari.