Sot në Shkup u mbajt një takim mes Komisionarjes europiane për Zgjerim, Marta Kos dhe liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të dedikuar Planit të Rritjes së Bashkimit Europian prej 6 miliardë eurosh për këtë rajon.
Kosova në këtë takim u përfaqësua nga kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, i cili foli në panelin nën tematikën “Stabiliteti, Uniteti dhe e Ardhmja”.
Aty Kurti kërkoi rritje fondesh të BE-së derisa Kosova dhe Bosnja janë vendet e vetme në rajon që nuk kanë marrë fondet e para të parafinancimit, raporton Gazeta Express
Kosova fillimisht duhet të themelojë institucionet e reja për të pranuar mjetet.
Këtë s’e përmendi fare Kurti, por aty ai tha se e vlerëson Planin e Rritjes “si një hap të rëndësishëm, duke theksuar se mbështetja e BE-së për vendet e rajonit duhet të jetë në përputhje me përkushtimin e tyre ndaj reformave, progresit demokratik dhe vlerave të përbashkëta evropiane”.
“Plani i Rritjes i BE-së është përgjigjja e duhur për të përshpejtuar reformat. Ne kemi nevojë për investime të linjëzuara me sigurinë ekonomike të BE-së, dhe kemi nevojë për qasje në financim që përputhet si me ambicien tonë për reforma ashtu edhe me progresin tonë demokratik dhe vlerat e përbashkëta. Po, Plani i Rritjes premton më shumë fonde sesa ofron aktualisht IPA, por ne mund të bëjmë më shumë. BE-ja mund dhe duhet t’i rrisë fondet, dhe ne mund dhe duhet të përshpejtojmë reformat. Për ta vënë këtë në perspektivë, më lejoni të përdor shembullin e Kroacisë, mikut dhe partnerit tonë shumë të mirë, dhe një model reforme në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Midis viteve 2014 dhe 2020, Kroacia mori afërsisht 12 miliardë euro nga fondet e BE-së, mesatarisht rreth 1.7 miliardë euro në vit. Për dallim me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (ËB6) që morën së bashku rreth 600 milionë euro në vit, ose afërsisht 4 miliardë euro gjatë periudhës së njëjtë”, tha Kurti.
Ai shtoi se qëllimi për anëtarë të rinj nga BE do të arrihej me shtim fondesh.
“Në bazë të të ardhurave për kokë banori, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor morën më pak se 9% të asaj që mori Kroacia. Argumenti që dua të theksoj është ky: nëse duam të arrijmë anëtarin më të ri të BE-së, do të nevojiten shumë më tepër fonde nga BE-ja dhe se fondet duhet të lidhen me rregullat dhe vlerat e BE-së”.
Gjithashtu, tha Kurti, parimi udhëzues duhet të jetë që, për atë që jemi të obliguar njësoj të ndërmarrim reforma, duhet të jenë në pozicione të barabartë për të përfituar prej tyre.
“Kjo do të thotë qasje në programe dhe instrumente që mundësojnë reforma dhe rritje. Kosova ende nuk ka qasje në programe kyçe për tregti, siç është Konventa e Tranzitit të Përbashkët dhe organizatat e standardizimit të BE-së, siç është Komiteti Evropian për Standardizim/Komiteti Evropian për Standardizim Elektroteknik (CEN/CENELEC). E njëjta vlen edhe për qasjen në financimin e tranzicionit të gjelbër. Na mungon qasja në financimin klimatik, dhe masat e padrejta dhe të dëmshme të BE-së kanë vonuar projektet dhe kanë bllokuar reforma në fushat e energjisë dhe rritjes, gjë që shkon kundër vetë logjikës së Planit të Rritjes”./Express/