Analisti Shenoll Muharremi ka ftuar që të përkrahet Prokuroria e Shtetit.
Ai ka vlerësuar se shteti forcohet kur prokuroria nuk i frikësohet askujt.
Në profilin e tij në “Facebook”, Muharremi ka shkruar se nga prokuroria duhet të intervistohet çdo kush që shihet si i dyshuar.
“Të gjithë duhemi me e përkrahë prokurorinë, sidomos ata prokurorë që kanë integritet. Le të na hetojnë të gjithëve, pa mëshirë. Prokuroria duhet me u bë edhe më aktive. Duhet me hetu gjithkund ku ka edhe dyshime. Kjo e forcon shtetin dhe e rrit besimin në institucionet publike. Sidomos duhet me u hetu ata që e menaxhojnë paranë publike. Vetëm dobi kemi nga hetimet. Prokuroria duhet me qenë e pavarur, pa asnjë ndikim politik. Me e forcu integritetin e saj, askush mos me e dyshu”, ka shkruar ai.
Sipas tij, personat që intervistohet nuk duhet të shihen si fajtor.
“Personat që hetohen nuk nënkupton që janë fajtorë. Këto hetime dhe intervista duhet me u bë rutinë. Ashtu siç shkon pacienti te mjeku për kontroll, ashtu prokurori heton me pa a jemi mirë. Ka ardhë koha me u fuqizu ky institucion dhe me dalë prej aty heronjtë e rinj të Republikës. E di që ka me dhjetëra patriotë modernë që e dojnë këtë vend dhe që munden me kry këtë detyrë patriotike”, ka shkruar Muharremi.