Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar sot kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, pas sulmit ndaj gazetares së Klan Kosovës, Arbëreshë Ukës, e cila e kishte pyetur për mungesën e ilaçeve në QKUK.
“A ka albumina? A ka diazepam? Qetësohuni pak. Kujdes pak si po silleni kur jeni në poste publike se jeni aty me shërby, jo me tregu arrogancë. Politikanë ka sa të duash e populli mundet me ju ndru sikur pelenat e bebeve”, ka shkruar Muharremi në Facebook.
“Gazetarët e kanë bash atë detyrë, me bë pyetje me interes publik. Qeveritarët e kanë për detyrë me dhënë përgjigje dhe me qenë sa më të sjellshëm gjatë kryerjes së detyrës publike. Kur të shkojnë në shpi pas punës le të sillen si të kanë dëshirë”.
Muharremi tha se qeveria, pasi menaxhon paratë e taksave, edhe duhet t’u jape llogari gazetarëve kur u shtrojnë pyetje.
“Qytetarët kërkojnë llogari për menaxhimin e taksave, parasë dhe punëve publike. Qeveritarët duhet me u përgjigjë për secilin veprim dhe mosveprim. Kështu funksionon demokracia”.
“Kur i menaxhon paret e tjerëve, duhesh me dhanë llogari. Nëse nuk të pëlqen, shko menaxhoj para tuaja privat dhe menaxho një biznes, atëherë mundesh me u tregu sjellje tjera se aty tregu të edukon”.
“’A ka? Pse s’ka albumina?’ janë pyetje krejt legjitime e me vend, se ky ilaç ka mungu gjatë, sipas raportimeve të vazhdueshme nga mediat e ndryshme”.
Sipas Muharremit, një sjellje e tillë e Kurtit tregon që problemi qëndron tek ta dhe mungesa apo rezultatet e këqija, dhe jo te gazetarët.
“Kur kryeministri i kthehet gazetares me nervozë e arrogancë, sikur sot, problemi nuk duket që është gazetarja. Ma shumë duket si sinjal i nervozës e pakënaqësisë me rezultatet dhe realitetin e gjendjes politike”.
“Gazetarja nuk e ka sjellë e kriju këtë gjendje, e kanë kriju politikanët ku z. Kurti ka përgjegjësinë dhe rolin më të madh”.
“Gazetarja gjithashtu nuk ka asnjë faj që ju nuk po arrini me kriju shumicën parlamentare. Ajo është puna juaj, jo e mediave. E ju duhet me pranu me bo kompromise, me u sill mirë me tjerët, se përndryshe mbeteni të izoluar, sikurse tash”.
“Më mirë është me u bë i sjellshëm e me tregu respekt për tjerët kur je në pozita të tilla se pastaj nuk të do askush. E me këtë stil e ritëm gjithashtu mundemi me kalu shpejt prej pyetjes ‘a ka albumina?’ në “a ka diazepam?’”.