Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, i cili po qëndron në vizitë disaditore të punës në Zvicër, mbrëmë në Gjenevë pati takim me përfaqësues të diasporës së vendit tonë.
“Ishte një nder i veçantë për mua, në ditën e parë të vizitës sime të punës në Gjenevë, të festoj Ditën e Pavarësisë – 8 Shtatorin, së bashku me diasporën e shumtë të vendit tonë. Në fjalimin tim, theksova rëndësinë e diasporës maqedonase si urë lidhëse midis dy vendeve – nxitëse e lidhjeve më të ngushta kulturore dhe ekonomike, por edhe si mbrojtëse e identitetit dhe vlerave të vendit tonë. Shpreha mirënjohje për të gjitha nismat, projektet dhe aktivitetet që rrjedhin nga bashkësia maqedonase në Zvicër dhe konfirmova vendosmërinë e Qeverisë, në mënyrë institucionale dhe përmes masave konkrete, për të avancuar lidhjen me maqedonasit në mbarë botën”, shkroi Mucunski në Fejsbuk.
Shefi i diplomacisë gjatë qëndrimit në Zvicër, do të marrë pjesë dhe do të flasë në Samitin e liderëve të rinj, në organizim të Forumit Botëror Ekonomik, që po mbahet në Gjenevë.
Mucunski duhet ta hapë Konsullatën e Nderit të Republikës së Maqedonisë së Maqedonisë në Gjenevë, ndërsa janë paraparë edhe takime dypalëshe me drejtorin e përgjithshëm të Organizatës Tregtare Botërore, me zëvendës komisarin e lartë për të drejtat e njeriut, me drejtorin e Qendrës për Politika të Sigurisë së Gjenevës, si dhe me raportuesin e posaçëm për çështje të pakicave në kuadër të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara.
tag_katrorimaqedoni_2