Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, deklaroi sot se ndryshimet e miratuara në ligjin për Punët e Jashtme përbëjnë një hap thelbësor drejt profesionalizmit të diplomacisë dhe përmirësimit të kushteve për diplomatët e Maqedonisë jashtë vendit.
Kuvendi dje miratoi ndryshimet në Ligjin për Punët e Jashtme të propozuara nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme.
Mucunski sot theksoi në një postim në Fejsbuk se me këto ndryshime vendoset një kuadër i qartë ligjor për profesionalizimin e shërbimit diplomatik dhe përcaktimin e kompetencave të ministrisë në fushën e tregtisë së jashtme dhe investimeve.
Pas më shumë se një dekadë, po bëhen ndryshime thelbësore me të cilat vendoset një kuadër i qartë për realizimin e dy prioriteteve kryesore: profesionalizimin e shërbimit diplomatik dhe përcaktimin e kompetencave të ministrisë në fushën e tregtisë së jashtme dhe investimeve, theksoi Mucunski.
Shefi i diplomacisë theksoi se ndryshimet parashikojnë rritjen e përqindjes së ambasadorëve nga radhët e diplomatëve të karrierës, zgjatjen e mandatit të diplomatëve të dërguar jashtë vendit nga tre në katër vjet, (në vend të tre deri tash) si dhe rregullimin e procedurës për emërimin e ambasadorëve dhe rolin e Kuvendit në atë proces. Gjithashtu, është futur mundësia për emërimin e një përfaqësuesi të posaçëm shtetëror jashtë vendit, nëse ekziston interes i veçantë për shtetin.
“Me ndryshimet bëhet e mundur që Ministria të marrë në mënyrë sistematike përgjegjësinë mbi krijimin e politikave për tregtinë e jashtme dhe investimet – një segment që deri më tani nuk ishte i përcaktuar institucionalisht me asnjë ligj tjetër. Kjo përbën një hap të rëndësishëm drejt profesionalizimit të diplomacisë, përmirësimit të kushteve të punës për diplomatët e Maqedonisë jashtë vendit, si dhe pozicionimit të duhur të Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme në fushën e tregtisë së jashtme dhe investimeve,” theksoi Mucunski.