“Muajt e mjaltit” në kampin e shfarosjes


Gazeta Express
15 Dhjetor 2019 10:39

Herën e parë që foli me të më 1943 në krematoriumin e Auschwitzit, David Wisnia e mori vesh se Helen Spitzer nuk ishte e burgosur e rregullt. Zippi, sikur njihej ajo, ishte e pastër, dhe gjithnjë e kujdesshme. Kishte veshur një xhaketë dhe i vinte era e mirë. Ata ishin njoftuar nëpërmjet një të burgosure me kërkesë të saj.

Prania e saj ishte e pazakontë në vetvete: një grua jashtë kuarteve të grave, teksa po fliste me një të burgosur. Para se Wisnia ta merrte vesh, ata ishin të vetmuar, sepse krejt të burgosurit kishin shkuar. Kjo nuk ishte rastësi, do ta kuptonte ai. Ata e bënë një plan që të takoheshin përsëri brenda javës.

Në datën e caktuar, Wisnia shkoi sikurse ishte planifikuar që të takoheshin në barakat ndërmjet krematoriumeve katër dhe pesë. Ai ishte ngjitur në majë të një shkalle të krijuar prej pakove të veshmbathjeve të të burgosurve, shkruan Koha Ditore. Zonja Spitzer e kishte aranzhuar, ku kishte shumë pako, por që kishte hapësirë të mjaftueshme për ata të dy. Zoti Wisnia ishte shtatëmbëdhjetë vjeç; ajo ishte vetëm 15 vjeçe.

“Nuk kisha njohuri për çka, ku e kur”, ka kujtuar Wisnia, tani 93 vjeç. “Ajo më mësoi gjithçka”.

Qoshja speciale

Të dy ishin të burgosur hebraikë në Auschwitz, të dytë të burgosur të privilegjuar. Zoti Wisnia fillimisht ishte shtrënguar të mblidhte kufomat e atyre që kishin kryer vetëvrasje. Më vonë do të ngarkohej me detyrën për të argëtuar pengmarrësit e tyre nazistë, pasi u zbulua se ishte një këngëtar i talentuar.

Zonjusha Spitzer kishte pozitë më të lartë: Ajo ishte disenjatore grafike e kampit. Ata ranë në dashuri me njëri-tjetrin. Takoheshin një herë në muaj në qoshen e tyre. Pas frikës fillestare se po vinin në rrezik jetën e tyre, nisën të merreshin vesh për datat e ardhshme. Zoti Wisnia ndihej shumë i veçantë. “Ajo më zgjodhi mua”, kujton ai.

Ata nuk flisnin shumë. Kur flisnin, i tregonin njëri-tjetrit histori të përmbledhura të së kaluarës. Zoti Wisnia i rrëfente se si babai ishte adhurues i madh i operës, që e kishte frymëzuar të këndonte dhe që ishte zhdukur me pjesën tjetër të familjes në geton e Varshavës. Zonjusha Spitzer, e cila gjithashtu e donte me shpirt muzikën – luante në piano dhe në mandolinë – ia mësoi zotit Wisnia një këngë hungareze. Poshtë kutive të veshmbathjeve, të burgosurit e tjerë bënin rojë, të përgatitur për t’i njoftuar nëse do të afrohej ndonjë oficer i SS-së.

Te fundit


Kthehu lart