Vëllaznimi i Gjakovës ia ka shkaktuar Bashkimit humbjen e dytë rresht në elitën e basketbollit kosovar.
Bashkimi në xhiron e kaluar u mposht edhe nga Trepça. Vëllaznimi të shtunën në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë fitoi me rezultatin 78:67, pas vazhdimeve.
Ky ballafaqim i takoi xhiros së nëntë.
Në fund të kohës së rregullt ndeshja u ndal për disa minuta derisa u zbraz palestra për shkak të ofendimeve nga tifozët vendës.
Koha e rregullt përfundoi 65:65.
Në vazhdime, Vëllaznimi ishte më i vëmendshëm në fazën e sulmit dhe aplikoi lojë shumë të fortë në mbrojtje, duke ndalur prizrenasit në vetëm dy pikë.
Vazhdimin prej pesë minutave, Vëllaznimi e fitoi me rezultatin 13:2 dhe iu gëzua fitores në fund.
Michael Nuga i pati statistikat më të mira në ndeshje me 25 pikë, katër kërcime e tri asistime. Ai ishte i ndihmuar edhe nga Arian Azemi, që realizoi 12 pikë, nëntë kërcime e katër asistime në fitoren e katërt të Vëllaznimit, që ka edhe pesë humbje.
Trepça e Bashkimi tani kanë nga shtatë fitore e dy humbje dhe prijnë në tabelë me nga 16 pikë.