“Mrekulli” në një kishë në Las Vegas: Besimtarët thonë se u shfaq një ‘fytyrë e shenjtë’ gjatë meshës festive - Gazeta Express
string(104) "mrekulli-ne-nje-kishe-ne-las-vegas-besimtaret-thone-se-u-shfaq-nje-fytyre-e-shenjte-gjate-meshes-festive"

Mistere

Gazeta Express

24/12/2025 20:16

“Mrekulli” në një kishë në Las Vegas: Besimtarët thonë se u shfaq një ‘fytyrë e shenjtë’ gjatë meshës festive

Mistere

Gazeta Express

24/12/2025 20:16

Besimtarët e një kishe në Las Vegas, Nevada, thonë se kanë qenë dëshmitarë të një ngjarjeje të jashtëzakonshme gjatë një meshe festive, të cilën disa prej tyre e quajnë mrekulli.

Gjatë meshës kushtuar Zojës së Guadalupes në kishën St. Thomas More, prifti Edmund Nnadozie po mbante predikimin kur në sallë shpërtheu reagimi i besimtarëve. Sipas tyre, në rrudhat e një cope pëlhure pranë altarit u shfaq një fytyrë që ngjante me atë njerëzore.

Pëlhura ishte e vendosur mbi një piedestal ku ndodhej statuja e Zojës së Guadalupes. Festa e saj kremtohet më 12 dhjetor. Pas meshës, disa besimtarë fotografuan copën e rrobës, e cila – sipas tyre – ishte rrudhur në një formë që i ngjante një fytyre.

Ben Yzaguirre, një nga pjesëmarrësit në meshë, e fotografoi fenomenin dhe i tha televizionit lokal Fox5 Vegas:

“Unë besoj se është një mrekulli, një shenjë nga qielli. Është diçka e bukur për t’u parë dhe jam i lumtur që isha pjesë e kësaj.”

Pamjet u përhapën shpejt në rrjetet sociale, ku edhe besimtarë të tjerë që kishin qenë të pranishëm në meshë shprehën bindje të ngjashme.

“Isha aty në këtë meshë. Mrekullitë ndodhin,” shkroi një përdorues në platformën X.

Megjithatë, pati edhe reagime skeptike. Disa komentues sugjeruan se bëhet fjalë për pareidoli, një fenomen psikologjik që i shtyn njerëzit të shohin fytyra ose forma të njohura në modele të rastësishme.

Prifti Nnadozie, megjithatë, i tha medias lokale se rrethanat e ngjarjes e bëjnë të vështirë ta quash thjesht një rastësi.

“E pashë dhe thashë: ‘Prisni një moment’. E pashë sërish dhe për mua ishte fytyra e Zojës,” u shpreh ai, duke shtuar se në kishë ndodheshin rreth 800 persona dhe askush nuk e kishte prekur pëlhurën.

Historia e Zojës së Guadalupes daton në vitin 1531, kur, sipas traditës katolike, Virgjëresha Mari iu shfaq një indigjeni meksikan të quajtur Juan Diego në kodrën Tepeyac, pranë asaj që sot është Mexico City. Ajo i kërkoi ndërtimin e një kishe në nder të saj.

Për t’i bindur autoritetet kishtare, Juan Diego mblodhi trëndafila në mantelin e tij (tilma), ndonëse ishte dimër dhe lulet zakonisht nuk çelin në atë periudhë. Kur e hapi mantelin para peshkopit, lulet ranë në tokë dhe në pëlhurë u shfaq, sipas besimit, imazhi i Virgjëreshës Mari.

Kjo pëlhurë ruhet ende sot në Bazilikën e Zojës së Guadalupes në Mexico City dhe nderohet nga miliona katolikë në mbarë botën. Studiues dhe historianë kanë vënë në dukje se materiali ka mbijetuar pothuajse 500 vjet pa dëmtime të mëdha dhe se origjina e imazhit mbetet e pashpjeguar plotësisht.

Për besimtarët në Las Vegas, shfaqja e një fytyre në pëlhurë gjatë meshës festive shihet si një jehonë e atij mrekulli shekullor, duke nxitur besimin dhe diskutime mbi fenë dhe domethënien e shenjave hyjnore.

“Besoj se Zoja po na dërgonte një mesazh: ‘Jam ende këtu, sot është dita ime dhe ende mund të shfaqem’,” tha Nnadozie për Fox5 Vegas. “Zoti zgjedh kur ndodh një mrekulli – dhe një mrekulli mund të ndodhë edhe në Las Vegas.”

Edhe Yzaguirre theksoi se ngjarja ka kuptim edhe për ata që nuk ishin të pranishëm:

“Ndonjëherë bota apo komuniteti ka nevojë për këto gjëra. Nuk janë vetëm për t’i mbajtur për vete.”

Raste të ngjashme janë raportuar edhe më parë. Në vitin 2018, një kishë në Meksikë pretendoi se një statujë e Virgjëreshës Mari kishte filluar të “qante”, duke nxjerrë një lëng që më vonë u identifikua si vaj ulliri aromatik.

Mostrat e lëngut u analizuan kimikisht dhe autoritetet kishtare deklaruan se nuk gjetën shpjegim të qartë teknik brenda strukturës së statujës. Megjithatë, edhe atëherë, si tani, ngjarja u interpretua ndryshe nga besimtarët dhe skeptikët, duke mbetur në kufirin mes besimit dhe shpjegimit racional. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement