Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet nëpërmjet territorit të Serbisë.
Apeli i MPJD’së vjen pas arrestimeve të fundit nga autoritetet serbe. Dje është arrestuar edhe një qytetar i Kosovës nga Serbia, për çka MPJD ka thënë se i ka njoftuar edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Quint-it.
Ministria ka bërë thirrje edhe për reagim nga bashkësia ndërkombëtare ndaj këtyre arrestimeve.
“MPJD gjithashtu nënvizon nevojën urgjente për reagim nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj praktikave represive të autoriteteve serbe, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Rritja e rasteve të ndalimeve dhe maltretimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përbën shkelje të frymës së dialogut dhe të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy palëve”, thuhet në reagimin e MPJD’së.